Kryeministri Edi Rama ishte sot në qendrën e pritjes që është ngritur në stadiumin e Durrësit që ishte edhe më pranë epiqendrës dhe forcës goditëse të tërmetit. Shumica e qytetarëve në qendrën e pritjes shprehen se vendosën ta kalonin natën këtu nga frika dhe paniku i momenteve pas tërmetit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu informoi se në qendrën e pritjes në stadium qëndron përveç ekipit të mjekëve, edhe një ekip punonjësish socialë dhe psikologë. “Në këto momente është e rëndësishme trajtimi multidisiplinor. Përveç ekipit mjekësor, është edhe një ekip i Shërbimit Social Shtetëror”, tha Manastirliu.

Një banore e lagjes nr.5 rrëfen pse vendosi për ta kaluar natën në qendrën e pritjes, ku gjeti të gjithë shërbimin e nevojshëm për të kaluar momentet e vështira dhe frikën e panikun e pas tërmetit.

“Tërmeti ishte shumë i fortë. Mbeta brenda në ashensor. Por kujdes shumë i madh. Mbrëmë qëndruam në stadium ku gjetëm çadrat dhe na ndihmuan, na prunë mjekët, na matën tensionin, na dhanë mjekimin”, u shpreh ajo.

“Si bashkia, si mjekësia, si të gjithë, si ju, në krye. Ju dëgjofshim gjithmonë të mirën, për ne pleqtë. Kur e dëgjuam në televizor, me vrap kemi ardhur këtu. U çliruam se nuk rrihej në shtëpi”, u shpreh një tjetër e moshuar, e strehuar në qendër.

Kryeministri i këshilloi të zhvendosen te Kavaleshenca në Durrës, ku janë në dispozicion 700 shtretër dhe kushtet optimale. 

“Bëjmë sa mundemi, jo aq sa duam. Nëse do kishim mundësi më shumë, nuk do ta linim pa bërë. Lëkundjet nuk i kemi në dorë, por, siç thonë specialistët, lëkundjet mbrapa janë normale, vijnë në rënie, që bëjnë stabilizimin e pllakave sizmike. Tërmetet nuk i parashikon askush, as Amerika s’e ka gjetur akoma si t’i parashikojë. Këtu është thjesht për pritjen e parë. Nëse doni mund të shkoni tek Kavaleshenca, ku i keni gati gjithçka. Janë 700 shtretër që janë në dispozicion. Për çfarëdo të keni nevojë na keni afër. Të gjithë janë shpërndarë, duke shkuar nëpër shtëpi, për të bërë kontaktin e parë.”

Një tjetër banore kishte vendosur ta kalonte natën në qendrën e pritjes të ngritur tek stadiumi për shkak se shtëpia kishte pësuar krisje. Kryeministri siguroi se të gjitha dëmet do të evidentohen dhe do të shihen me kujdes, për të parë nëse mund të riparohen, apo nëse paraqiten më problematike, duke e ftuar që në ndërkohë të strehohej tek konvaleshenca.