Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me numrin e personave të rezultuar pozitiv me koronavirus, në 24 orët e fundit, ndërsa thote se shifra te tilla ishin te parashikuara.

Rama shkruan në Facebook se nesër masat për daljen nga shtëpia do të jenë të kontrolluara dhe se nuk do të lejohen daljet me një person të dytë në krah, si dhe krijimi i grumbujve në tregje e në dyert e dyqaneve.

Ndërsa bën thirrje për të mos i shkelur rregullat, kreu i qeverise shprehet i ashpër për personat që do t’i tejkalojnë kufijtë e karantinës duke thënë se do të do goditen pa asnjë tolerancë.

POSTIMI I RAMËS

Sot numri i pozitivëve u rrit! sidoqoftë brenda parashikimit lavdi Zotit dhe do të vazhdojë të rritet ende më shumë këtë javë!

Por sfida e madhe është të mos rritet nga marrëzitë tona e të dalë jashtë kontrollit!

Me rezistencë të madhe popullore, mund të dalim nga kjo luftë me humbje e plagë të mëdha, por shumë më pak sidoqoftë se sa po nuk rezistuam!

Ju lutem si Krishtit e Muhametit mos luani me zjarrin dhe mos bëni një hap më shumë përtej kufijve që janë vënë për secilin!

Nesër nis një ditë e re me sfidën e mosshkeljes së orareve; mosdaljes me asnjë tjetër në krah; moskrijimit të grumbujve në tregje e në dyert e dyqaneve!

Ju lutem mbani fëmijët brenda!

Ju lutem mos lini pleqtë të dalin nga dera! ju lutem ecni fillikat në rrugë pa u ndalur askund!

Ju lutem rrini drejt e njëri pas tjetrit në radhë me durim! ju lutem mos dilni poshtë pallatit!

Ju lutem, ju lutem, ju lutem, mos merrni më qafë familjen dhe Shqipërinë me numra idioteskë në shkelje të rregullave të luftës!

Ju lutem kuptojeni se sa e turpshme dhe kriminale është të na vdesin qindra e mosozot mijëra njerëz, për një pakicë të vogël fare që nuk reziston, po tradhëton!

Ju lutem njëmijë herë mos, mos, mos! shteti po bën gjithçka mundet, forcat e rendit do bëjnë gjithçka munden, 99% e populit po bën gjithçka duhet, prandaj ju që jeni pakica e pakicës, por jeni aq sa i duhen armikut për të na grirë si mish qeni, mos tradhëtoni!

Do t’ju godasim pa asnjë tolerancë, por juve nuk duhet ta çoni punën aty! Jemi të gjithë një familje dhe s’ka më turp në histori që të humbim një luftë si kjo, se nuk rrimë dot në shtëpi!.