Kryeministri Edi Rama ka vijuar në qytetin e Gramshit fushatën për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Rama tha para qytetarëve se opozita i ka nxirë fytyrën Shqipërisë dhe se bojkoti i  tyre për zgjedhjet është bërë për të mos hapur negociatat me Bashkimin Europian.

“Kundërshtarët tanë duhet të na kishin dalë përballë. Për t'u ballafaquar me ne. Sepse pas këtyre katër viteve që mbyllëm për bashkitë, për ne flasin punët më shumë sesa fjalët. ata vendosën të ikin nga zgjedhjet sepse nuk fitojnë dot. Por edhe sepse duan të marrin zgjedhjet peng, për të marrë peng Shqipërinë. Qëllimi i tyre është të pengojnë me çdo kusht Shqipërinë për të çelur negociatat. Kjo mund të duket si propagandë. Por në fakt po të shikoni të gjithë panoramën të shpalosur të aktivitetit politik të 6 muajve të fundit, nuk është e vështirë të kuptohet se qëllimi është ky. Shqipëria të bëhet një vend me reputacionin e rëndë me imazhin e nxirë, për të mos i lejuar miqtë tanë për negociatat dhe për të ushqyer ata që jo se janë armiqtë tanë por kanë ide për Europën dhe nuk duan të hapin negociata me askënd. Ka patur momente të vështira, por jo të zbathej në parlament për të përdorur çizmet si armë dhe të fluturonin shishet e ujit si molotov, që më pas erdhën shishe me benzinë” –ka deklaruar Rama.