Kryeministri Edi Rama paralajmëroi live kryebashkiakun e Shijakut, Elton Arbanën teksa i tha se problemi i të rinjve sot është se zgjaten para kohe dhe nëse diçka e tillë i ndodh dhe kryebashkiakut, kreu i qeverisë do t’i bëjë krasitje.

Krahas kësaj, Rama deklaroi se Shijaku do të jetë kantieri më i madh i rindërtimit dhe shumë shpejt do të hapet kantieri i parë.

“Më vjen mirë që në Shijak ne kemi bërë një zgjedhje shumë të mirë. Por, kjo nuk do të thotë që ju nuk duhet të jeni vigjilentë, se ka një problem me këta të rinjtë sot, zgjaten para kohe, nëse i tërheq era nga lart. Por, ne në dorë e kemi, po u zgjat para kohe, i bëjmë një krasitje. Por ky nuk është nga ata që i merr balona lart, ky është me këmbë në tokë. Shumë shpejt do vijmë të hapim kantierin e parë të rindërtimit këtu në Shijak. Së fundi, për banesat individuale, që do të jenë banesa 70-vjeçare. Projektet janë gati edhe nga pikëpamja e projekt-zbatimit. Për zbatimin duhet bërë gjithë inxhinieria, që pastaj do t’i kalohet kompanive për të ndërtuar. Nuk do të kalojë shumë kohë dhe iu do të shikoni ngritjen e të gjithë kantierëve në Shijak, i cili do të jetë kantieri më i madh i ndërtimit, pasi e gjithë zona preket. Të gjitha pallatet e vjetra do të bien para syve dhe do të bëhen të reja. Të gjitha këto fjalë do duhet të vërtetohen para zgjedhjeve, ndaj nuk po jua them për vota. Dhe nëse s’do kenë mbaruar për zgjedhjet, do jenë duke u ndërtuar. Të jesh 2 metra e të flasësh është shumë më e vështirë se sa të jesh i shkurtër, sepse të shkurtrit erdhe gënjejnë, edhe fshihen, ndërsa të gjatët e kanë të vështirë të fshihen. Unë do vij vazhdimisht t’i ndjek vetë kantierët. Nuk e kam pritur që kryetari juaj i bashkisë të jetë kaq i përkushtuar dhe kaq i zoti në punë. Jam shumë i surprizuar nga respektimi i të gjithë afateve, korrektesa, se këta vijnë tek unë dy herë në javë, çdo raport te ministri i Rindërtimit, që këto raporte janë tamam si provim.”, tha kryeministri.