Pas takimit në Berlin, kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për shtyp me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.

Rama zbuloi tri çështjet kryesore që ka diskutuar me Kancelaren Merkel, duke u ndalur kryesisht te procesi i rindërtimit pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit.

“Unë kam ardhur enkas për të diskutuar për konferencën e donatorëve dhe nevojën e madhe që Shqipëria ka për të gjetur mbështetjen e të gjithë miqve dhe partnerëve për procesin e rindërtimit, që u bazua në raportin e dëmeve në bashkëpunim me BE, Kombeve të Bashkuara dhe Bankën Botërore përmban një shumë që është përtej mundësive tona për ta përballuar vetëm. Dua t’ju falenderoj për interesimin tuaj dhe për ndihmën e parë nga Gjermania, një ndihmë që ka qenë lehtësuese në ato momente tragjike. Diskutojmë edhe për perskeptivën europiane. Dëshiroj edhe një herë të shpreh të gjithë konsideratën për mënyrën sesi ka nisur puna e komisionit të ri evropian dhe të them që është shumë e rëndësishme ajo që nënvizohet, një dimension më i qartë edhe gjeopolitik përveçse dimensionit tradicional teknik, do të jetë një ndihmë e madhe për ne dhe gjithë Rajonin.”, tha ai.