Në takimin e radhës për ecurinë e platformës së bashkëqeverisjes kryeministri Edi Rama edhe këtë herë ftoi dhe u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që kanë probleme me zyrat e shtetit që të denoncojnë rastet e tyre. Kreu i qeverisë tha gjithashtu se për të gjitha ata punonjës apo drejtues që zvarritin çështjet e qytetarëve do të merren masa administrative deri tek ndjekja penale.

“Nëse keni një problem me zyrat e shtetit mos kërko rrugët e vjetra të ryshfetit apo të mikut që të bëjë të mundur zbatimin e ligjit për ty, por drejtojuni platformës”.

Pas rastit të paraqitur nga një qytetar nga Lushnja pasi prej muajsh nuk merrte dot dokumentin e Hipotekës, kreu i qeverisë tha se kanë nisur veprimet hetimore.

“Ministria e Drejtësisë që drejton dhe Task-Forcën e Antikorrupsionit do të bëjë publike dhe masat, edhe pse ju e keni zgjidhur çështjen ka filluar një hetim administrativ për hipotekën e Lushnjes. Pas zgjidhjes së çështjes në kërkojmë të dimë pse dhe kush e ka penguar. Çdo javë ka masa administrative dhe penale për ata drejtues në zyrat e shërbimeve që behën shkaktarë për vonesat e qytetarëve”.

Rama tha se platforma është arma kundër korrupsionit dhe parazitizmit të punonjësve të administratës.

Platforma është pjesë e administratës, pasi është kjo e fundit që vihet në lëvizje përmes platformës e cila është armë kundër korrupsionit dhe parazitizmit. Në të gjitha zyrat e shërbimeve ndihet ndryshimi. Çdo qytetar mund ta marrë në “qafë” një punonjës së zyrave të shtetit, duke e denocnuar tek platforma.