Takimi i kryeministrit Edi Rama në Panairin e Punës në Elbasan është shoqëruar me protesta. Forumi rinor i PD-së dhe drejtues të PD-së në këtë qark kanë pritur me protesta dhe pankarta në duar kryeministrin, ndërsa nuk kanë munguar as konfrontimet.

Gjatë protestës, kreu i PD për Elbasanin Aurel Bylykbashi dhe protestuesit janë konfrontuar me nëndrejtorin e Policisë se Elbasanit Blerim Berbati, i cili ka qenë në krye të detyrës. PD thotë se takimi i parë i Edi Ramës në Elbasan duhet të niste në Prefekturë, por për shkak të protestuesve demokratë, ai ndryshoi drejtim për te Kalaja.

“Demokratët presin me protesta Ramën në Elbasan, por policia e shtetit sillet si polici private dhe tenton të sekuestrojë pankartat kundër Edi Ramës. Takimi i parë i Edi Ramës në Elbasan duhet të niste në Prefekturë, por për shkak të protestuesve demokratë, ai ndryshoi drejtim për te Kalaja. Protestuesit me pankartat që e cilësojnë Ramën si Pasha të Drogës, e kanë ndjekur edhe aty. Por policia, në shkelje të ligjit, siç shihet në video, ka ndërhyrë për të larguar protestuesit nga Edi Rama. Në një akt të paprecedentë, policët kanë tentuar t’u marrin atyre pankartat. Protestuesit demokratë nuk janë tërhequr dhe e sigurt është se turi i Ramës në qarkun e Elbasanit sot nuk do të jetë i qetë”, thuhet në reagimin e PD-së.