Kryeministri Edi Rama publikoi videon e takimit me katër fëmijët shqiptarë të shpëtuar nga kampi sirian Al-Hoti, të hënën.

Personat që do të kthehen nga kampi janë Floresha Rasha së bashku me tre fëmijët e saj dhe Endri Dumanin.

Motra e Enrit, Eva Dumani, sipas kryeministrit Rama “nuk ka qënë e mundur të kontaktohet. Ajo është mirë por informacionet janë pak të komplikuara”.

Ai njoftoi se “e ëma e fëmijëve të vegjël është në një gjendje të vështirë ka një plagë në trup, por edhe ajo do të vijë me ne”.

“Ky operacion i hap rrugën fazës tjetër. Presim sinjalin e fundit për të marrë edhe fëmijët e tjerë. Endri po kthehet, Eva është mirë, por informacionet janë pak të komplikuara”, deklaroi kryeministri.

Rama falenderoi “drejtorin e anti-terrorit dhe punonjësit tjetër të policisë që kanë operuar gjatë gjithë kohës në territor dhe konsullin e nderit të Shqipërisë në Liban. Na ka ndihmuar për të bërë ato lidhjet me faktorët”.