Ndërkohë që disa studentë zgjodhën të kalonin natën poshtë Kryeministrisë, kreu i qeverisë, Edi Rama ka shpërndarë një video nga Fakulteti Ekonomik në Instagram, nuk ka shmangur edhe ironinë në komentin e tij, ndërsa shton se “më kollaj e beson që fluturon gomari”.

“Më kollaj e besoja që fluturon gomari, se sa që këto imazhe s’janë arkiva filmash të gjyqeve komuniste kundër armikut të klasës! Po jo, janë të freskëta fare mu nga mbrëmja e sotme në Fakultetin Ekonomik.

Dhe kaq shumë jam tronditur, sa që më bëjnë sytë sikur oratori është Sherifi, një enverist që në fundvitet ’90 drejtonte Komitetin Kombëtar të Turizmit si socialist dhe porosiste hotel-turizmat ta merrnin djathin tek i vëllai në Përmet.

Po as vetë ai, i shkreti Shero që kishte zbuluar efiçencën e kalit në ekonomi në një studim doktorature, s’do ishte dot kaq fantazëm e të shkuarës sa ky oratori këtu të cilin nuk e njoh, po Zoti i ruajt studentët tanë nga të tilla fantazma që u tregojnë se ç’duhet të bëjnë me jetën e tyre”, shkruan Rama.