Në Durrës, procesi i rindërtimit po vijon me riparimin e mjediseve të përbashkëta e të muraturave të pallateve me nivel dëmi DS1, DS2, DS3, të ndarë në 9 lote dhe financuar nga qeveria shqiptare. Ndërhyrjet rehabilituese po kryhen në fasadat, shkallët dhe muret e ashensorëve të këtyre ndërtesave. Kryeministri Edi Rama ishte sot, sërish, në Durrës për të parë ecurinë e procesit në terren, i shoqëruar nga kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako.

Kryeministri hyri në një prej apartamenteve të një pallati me dëmtime të nivelit DS3, ku aktualisht po punohet për të riparuar muraturën e brendshme, e cila nuk mund të niste pa rikonstruktuar më parë fasadën.

“Këtu jemi në një objekt DS3, ku ka filluar puna për ambientet e përbashkëta. Ka mure, të cilat janë rrëzuar totalisht dhe janë ringritur nga e para. Këtu jemi në një apartament në katin e parë mbi dyqane. Muri është bërë komplet nga e para, po ashtu edhe një mur tjetër. Familja është pajisur me grantin e rikonstruksionit, por nuk mund të bëheshin punimet brenda pa mbaruar pjesa e fasadës. Merr edhe bonusin e qerasë. Fondi 5 milionësh që kemi vënë në dispozicion do të shërbejë për suvatime, lyerje, pllaka e të tjera me radhë.” – shpjegoi kryetarja  e bashkisë së Durrësit.

Kryeministri Rama u shpreh se qeveria po bën maksimumin dhe megjithëse rikonstruksioni kërkon kohën e tij të përfundojë, e rëndësishme është që Viti i Ri t’i gjejë familjet e dëmtuara në banesat e tyre të reja, më të bukura dhe më të forta se më parë. 

“Ju e dini që ne po bëjmë maksimumin, edhe pse jo aq sa do të donim sepse koha është mbreti. Puna do kohën e vet, por e rëndësishme është që përsa i përket familjeve që janë me këtë hall në qytet, janë nëpër shtëpi me qera. Edhe shumën që mund të bëni rregullimet e brendshme e keni. Na është dashur një proces i tërë, sepse ka qenë një hall i madh me verifikime, dokumente, ankimime, riverifikime dhe pastaj me projektet. Tani të gjitha kompanitë janë në punë. Kemi edhe 2 lote që do të bëhen. Janë 7 lote të mëdha për mjediset e përbashkëta. Kurse për mjediset e brendshme jemi gati. Me këtë mund të filloni pjesën tuaj me riparimet e vogla. Rëndësi ka që për Vit të Ri e keni harruar këtë hall,” – u shpreh kryeministri.

Tashmë pjesa më e madhe e punës përsa i përket objekteve me dëmtime DS1 dhe DS3 është realizuar, ndërkohë që më komplekse situata paraqitet për objektet e dëmtimit DS4. “Është bërë një punë e madhe. Tani jemi drejt fundit sepse ka marrë zgjidhje situata përsa i përket problematikave të DS1 dhe DS3. DS4 e ka situatën pak më komplekse. Kemi rreth 143 pallate, të cilat kemi filluar procesin e projekteve,” – u shpreh kryebashkiakja Sako.

Kryeministri gjithashtu inspektoi edhe një objekt tjetër banimi, i cili i përket një prej zonave më të dëmtuara, ku u takua me familjarë, të cilët kanë mundësi të ndjekin vetë nga afër punimet për banesat e tyre.​