Në  Bashkinë e Shijakut po shtohet çdo ditë e më shumë numri i familjeve, që pikërisht në nëntor, një vit pas tragjedisë morën çelsat e banesave të reja. Vetëm sot në këtë bashki përfunduan së ndërtuari 20 shtëpi individuale, duke bërë që 468 familje të kësaj zone ta festojnë Vitin e Ri brenda strehës së re. Në katër prej familjeve që hapën për herë të parë dyert ishte sot, Kryeministri Rama, i cili iu dhuroi personalisht çelsat dhe i uroi për shtëpinë e re.

“Kemi mbaruar banesat individuale sipas sistemit te pikezimit. Vetem sot janë mbaruar 20 banesa individuale në Bashkinë e Shijakut. Vetëm 80 familje nuk kanë plotësuar kondicionet urbanistike dhe këto familje kanë shprehur dëshirën të bëjnë transferimin, ose të marrin grantin sipas VKMsë fundit që është miratuar. Në Bashkinë e Shijakut, brenda dhjetorit të vitit 2020, ashtu sic kemi biseduar do të kenë mbaruar të gjitha”, – u shpreh Kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, gjatë vizitës në shtëpinë e Marjana Domit, që përfitoi një banesë 3+1.  

E dyta në radhë vjen shtëpia e Zonjës Hava Domi, e përbërë nga 6 persona, e cila teksa falenderon Kryeministrin shprehet se për të ishte e pabesueshme. “Unë për vete nuk e kam besuar, prandaj ju faleminderit shumë”, – thotë ajo.

Banesa e re e Havasë ze një sipërfaqe prej 120 metrash katrorë, më e madhe dhe shumë më e sigurtë se ajo që humbi. “Sipas sistemit të pikëzimit kanë qenë shtëpitë e para që kemi nisur para 35 ditësh. Ashtu siç patëm premtuar që brenda muajit nëntor, kjo familje do të futej në shtëpinë e tyre të re. Kjo shtëpi është 120 metra katrorë. Shtëpia e vjetër ka qenë 95 metra katrorë. Sot kanë një shtëpi më të madhe, më të sigurtë dhe me të gjithë kushtet”, – shprehet Kryetari i Bashkisë së Shijakut.

Bashkia e Shijakut është kujdesur njësoj edhe për shtëpitë e qytetarëve që jetojnë jashtë vendit dhe nuk kanë patur mundësi t’i ndjekin vetë punimet. E tillë është edhe banesa e familjes së Zonjës Shpresa Zeza, e përbërë prej 6 anëtarësh, të cilët jetojnë të gjithë në Itali. Kryeministri Rama ia dorëzoi çelsin xhaxhait të zonjës, i cili falenderoi përzemërsisht për punën e bërë në kohë rekord. “Edhe pse njerezit kanë qenë jashtë, punët kanë vazhduar. Një shtëpi 120 metra katrorë 3 + 1, nga 87 metra katrorë që e kanë patur.” shpjegoi kryebashkiaku Arbana.  

Po ashtu, në një distancë të afërt është edhe shtëpia e zotit Hamit Zeza, e përbërë prej katër personash, të cilët janë përfitues nga programi i rindërtimit të një banese individuale 2+1.​