TIRANË – Në një bashkëbisedim të fundit për 2012-n me gazetarët kreu i PS-së, Edi Rama, u ka bërë thirrje ofertuesve për 4 HEC-et e ofruara për privatizim, të mos bëjnë asnjë hap në këtë proces, duke shprehur vendosmërinë e PS për të penguar me çdo kusht grabitjen e qytetarëve. 

Rama ka komentuar gjendjen e CEZ Shpërndarje, duke e vlerësuar situatën pasojë e një privatizimi të gabuar të qeverisë Berisha, ndërsa nuk është shprehur më optimist as lidhur me kompaninë energjitike të prodhimit të energjisë KESH, duke e vlerësuar edhe atë të falimentuar.

“Sot CEZ ka falimentuar dhe ka krijuar një ngërc, që shkon deri te konsumatori. Nga ana tjetër, KESH që prodhon energji është i falimentuar, mbahet nga shteti. Sot kjo kompani u ka borxh bankave, përtej të gjithave është një zinxhir borxhesh që përfundon tek prodhuesit privatë. Sot familjet shqiptare paguajnë dyfishin e energjisë dhe madje jo me furnizim më të mirëgarantuar se kohë më parë. Ka dështuar i gjithë modeli i tregut, sistemi tarifor i energjisë është në kurriz të konsumatorëve shqiptarë",- tha Rama.

Duke u ndalur tek privatizimi i HEC-eve, Rama ka treguar se 4 prej këtyre u futën në privatizim, pasi kanë dalë nga një bilanc pozitiv prodhimi, dhe çmimi i ofruar për to është sa gjysma e çmimit të ofruar për hidrocentralin e Lana Bregasit. "Kjo është grabitje dhe ne s'do ta njohim privatizimin e tyre. Ua bëj të qartë ofertuesve të mos shkojnë më tej në këtë proces, sepse ne s'do lejojmë të grabiten qytetarët”,- u shpreh kreu i PS-së.

Duke u ndalur në situatën ekonomike të vendit Rama tha se ka rënie drastike në sektorë të ndryshëm të saj. Ai vlerësoi se ky model ekonomik ka shteruar dhe ka ardhur koha për të hapur një kapitull të ri.

Kreu i opozitës nuk ka lënë jashtë vëmendjes as Planin e ri Rregullues të Tiranës, të cilin e cilësoi "shkatërrues për kryeqytetin".