Aksioni kundër informalitetit është shtrirë në një tjetër aspekt të saj. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të ndëshkohen të gjitha bizneset që punësojnë punonjës që trajtohen si "skllevër". Rama deklaroi se nga sot e tutje nuk do të ketë më punonjës të pasiguruar apo me deklarime të rrema të pagave.

"Faqja tjetër e zezë e informalitetit është puna në të zezë! Mosregjistrimi i punonjësve, që do të thotë jo sigurim shëndetësor, jo sigurim shoqëror (pra jo vite pensioni për punën e bërë) është një skllavërim i papranueshëm i krahut të punës.

Do të godasim me të gjithë forcën e ligjit, çdo biznes që i trajton njerëzit e zakonshëm si skllevër dhe do të luftojmë, papushim, për të nxjerrë nga bataku i punës së zezë, çdo punonjës. Ndërkohë, po përgatitemi për të sulmuar çibanin agresiv të kësaj faqeje të zezë, që janë deklarimet e rreme të pagave. Nuk mund të pranohet më që ekonomistë, juristë, inxhinierë e deri edhe pronarë firmash, të deklarojnë pagë minimale për të shmangur detyrimet ndaj shtetit, ndërsa pjesën e luanit ta marrin në të zezë", shkruan Rama.

Aksioni kundër informalitetit ka qenë kryefjalë e muajit gusht, i fokusuar kryesisht në lirimin e plazheve të zaptuara nga bizneset private, fshehja e të ardhurave që bizneset bëjnë duke mos lëshuar kupon tatimor, por edhe në fushën e ndërtimit apo cigareve. Kreu i qeverisë, Rama ka paralajmëruar se do të ndryshohet ligji, ku nuk do të ketë më ndëshkim me gjobë të pronarëve, por burg.