Kryeministri Edi Rama i është rikthyer pas një mungese të gjatë “komunikimit të javës” me qytetarët nga ku ka deklaruar se hapja e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian nuk do të vonojë më shumë se në gjysën e vitit të ardhshëm.

Kreu i qeverisë Rama është shprehur i bindur se BE do të çelë dyert në vitin 2018 për Shqipërinë, një hap ky që sipas kryeministrit është dhe fokusi kryesor i kabinetit në këto 100 ditë të para qeverisje.

“Është e qartë në sytë e KE-së (Komisionit Europian) se Shqipëria po vijon të bëjë progres në drejtimin e duhur. Objektivi ynë për çëljen e negociatave në mesin e vitit tjetër është një objektiv i arritshëm."-deklaroi kryeministri.

Kryeministri foli dhe për luftën ndaj kanabisit duke e quajtur një betejë të fituar, e cila do të vijojë me përballjen e grupeve kriminale që kanë përfituar nga ky “biznes”. Kryeministri deklaroi se në ndihmë të qeverisë do të vijë aleati amerikan përmes një skuadre anti-krim nga SHBA-të.

“Ka nisur beteja për të sekuestruar asetet kriminale të përfituara nga këto rrjete, do çojmë para drejtësisë të fortët’ të mësuar prej shumë vitesh të lëvizin lirshëm. Kjo betejë ka nisur dhe në bashkëpunim me ndërkombëtarët dhe falë një skuadre anti-krim amerikane ne do ta vazhdojmë betejën ditë për ditë, këmba këmbës”,tha Rama. 

Nga ana tjetër, kryeministri ka thumbuar opozitën e vendit duke e cilësuar si një grupim pa ide dhe vizion, i cili varet plotësisht në politikën e përdorimit të krimit për të goditur qeverisjen. Sipas Ramës, nëse një taktikë e tillë politike vijon, atëherë opozita dhe konkretisht PD, do të humbë në zgjedhjet e ardhshme dhe rrezikon seriozisht të dëmtohet si njëra ndër partitë më të mëdha politike të vendit.

"Propaganda e shfrenuar kundër zgjedhjeve e atyre që nuk dolën fitues, është thjesht një shfaqje kuptimplotë e zbrazëtisë së tyre programore.

Nëse vijojnë kështu jo vetëm rrezikojnë të shkojnë në një humbje tjetër, por edhe të dobësohen si një parti politike.

Kjo është një përpjekje e dëshpëruar dhe e padenjë për një opozitë që në mungesë të vizionit, rreket si e marrë për të mbjellë paqënndrushmëri e pasiguri. Por qeveria nuk e zgjedh opozitën. Ne jemi zgjedhur nga shqiptarët për të mirëqeverisur vendin dhe kemi zgjedhur rrugën e dialogut e bashkëpunimit me opozitën.

Ne do të vijojmë t’i bëjmë thirrje opiztës që të bashkëpunojë dhe do të bëjmë çmos që të krijojmë kushtet për këtë dialogim"– tha Rama.