Ndërsa Shoqata për Autonominë Vendore zhvillonte një mbledhje ku morën pjesë kryetarët e 45 bashkive të vendit, edhe kryeministri Edi Rama bëri një thirrje për gjithë qytetarët që ende nuk kanë lidhje të ligjshëm të ujit, pasi nga 1 shkurti nisin penalizimet.

"Kush ende nuk ka bërë lidhjen e ligjshme me ujësjellësin të nxitojë deri më 31 janar. Të ligjërojë marrëdhënien me ndërmarrjen e bashkisë përkatëse pa asnjë penalitet ligjor, ashtu siç kanë e po bëjnë me mijëra konsumatorë familjarë e biznese. Nga 1 shkurti çdo lidhje e paligjshme do të ndëshkohet sipas ligjit! Uji i pijshëm është pasuri e përbashkët, boll është vjedhur e shpërdoruar 27 vjet! Shumica nuk mund të paguajë më edhe për pakicën dhe shërbimi me ujë 24 orë në çdo shtëpi e biznes, arrihet duke vendosur në radhë të parë ligjshmërinë, pastaj duke rritur edhe investimet e jo borxhet falë kontributit të secilit sipas sasisë që konsumon", shkruan Rama.