Kryeministri Edi Rama ka folur sot nga Abu Dabi duke zbuluar arsyen pse ai udhëtoi drejt Emirateve të Bashkuara Arabe pikërisht ditën që përkonte me 1-vjetorin e tërmetit të 26 nëntorit.

Rama gjatë fjalës së tij tha se “Princi i Emirateve i hapi derën e shtëpisë së tij” dhe se gjatë kësaj vizite ai ka shkuar për të firmosur marrëveshjen për ndërtimin e 2000 apartamenteve të reja që do ndërtohen në Durrësin e goditur nga tërmeti.

Rama ka folur për investimet në Durrës, teksa tha se pikërisht në këtë qytet do ndërtohet porti më i madh në Mesdhe.

“Rastësisa e desh që sot në një vjetorin e tragjedisë së tërmetit të jem këtu në Abu Dabi për firmosur marrëveshjen e financimit dhe ndërtimit të 2000 apartamenteve në Durrës. Ishte mirësia vëllazërore e një miku të çmuar të Princit të Kurorës Mohammed Bin Zayed që në ato ditë të zymta më hapi dyer të shtëpisë së tij dhe më dëgjoi lutjet e mia”, tha Rama.

Rama e nisi ditën nisi me një videomesazh në Facebook, ku tregonte vështirësitë që kishte përjetuar 26 nëntorin e vitit të kaluar, kur Shqipëri u trondit nga tërmeti. Dje ishte ish-Kryeministri Berisha, i cili deklaroi se kryeministri ka fluturuar drejt Emirateve të Bashkuara me një charter privat që ka një kosto rreth 200 mijë euro.