Kryeministri Edi Rama nga mbledhja e sotme me kabinetin qeveritar në Vlorë u ka kërkuar gjithë ministrave një skanim të burimeve njerëzore, duke nxjerrë në pah plagën që ekziston sot me papërputhshmërinë mes diplomës dhe punës.

“Kemi një problem të mosreagimit të administratës, për këtë përgjegjësinë e mbajnë drejtuesit dhe punonjësit e gjendjes civile, në kundërshtim me vullnetin e qeverisë. Së dyti, problemi i sporteleve që edhe këtu në Vlorë, në zyrën e hipotekës ikin punonjësit dhe njerëzit presin në sportele. Tjetër cilësia e burimeve njerëzore, kemi njerëz të shkolluar që rrinë pa punë dhe analfabetë që merren në punë, paguhen nga taksat e shqiptarëve në vendin e gabuar, nuk përputhin as trajnimin, as përvojën me vendin e punës. Partia këtu e atje duhet të marrë fund. Ajo që u kërkoj të gjithëve është një skanim i të gjitha burimeve njerëzore në çdo drejtori në Vlorë dhe përputhshmëria mes vendit të punës dhe diplomës së çdo individi që mbulon vend pune, raport çdo ministri”- tha Rama.