Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot deputetët dhe ministrat në Kryesinë e Kuvendit, ku u ka kërkuar të gjithëve që të shpërndahen në terren, që të jenë pranë familjeve të cilat janë prekur nga tërmeti.

Rama u shpreh se më e keqja kaloi dhe tashmë është radha për të folur me njerëzit dhe për të parë se sa janë dëmet. Kreu i qeverisë tha se të gjitha familjet duhet të kontaktohen deri në darkë.

“Duhet të funksionojmë si rrjet i integruar duke u fokusuar te Tirana dhe Durrësi. Është shumë e rëndësishme së pari prania njerëzore për një kontakt të drejtpërdrejtë për të gjitha familjet që figurojnë si banorë të pikave të identifikuara me dëme. Vajtja e të gjithëve në terren dhe organizimi i kontakteve është mirë të fuqizohet me kontributin e të gjithëve ne, jo vetëm deputetët e Durrësit dhe Tiranës, por të gjithë për të mbuluar çdo familje që ka nevojë për komunikim. Ka shumë shtëpi dhe pallate qe kanë plasaritje. Të ndahemi sipas zonave dhe kryetarët e bashkive të fokusohen te pikat kritike duke u përpjekur të mbulojnë të gjitha shtëpitë apo godinat dhe për çdo familje të ketë një kontakt“,– tha Rama.