Gjatë seancës së sotme në Kuvend, kryeministri, Edi Rama, ka bërë me dije se procesi i vaksinimit në Shqipëri do të bëhet sipas tre skenarëve.

Kreu i qeverisë tha se skenari i parë është vaksinimi i të gjitha kategorive brenda 14 muajve, skenari i mesëm ka një axhendë 18 mujore dhe skenari i tretë ka një axhendë 24 mujore.

Ndër të tjera, ai deklaroi se përveç pikës në Tiranë, në planet e qeverisë është që të ngrihen qendra vaksinimi në qytete të tjera si në Shkodër, në Vlorë dhe më tej.

“Kemi tre skenarë, i pari është vaksinimi i të gjitha kategorive dhe të gjitha moshave që përfshihen në planin e vaksinimit për 14 muaj, skenari i mesëm ka një axhendë 18 mujore dhe skenari i tretë ka një axhendë 24 mujore. Ne do të bëjmë gjithçka sipas skenarit të parë. Brenda javës së tretë do të vijnë dozat e para dhe pastaj do të porosisim doza të tjera dhe nga Pfizer që është firmosur nga të dyja palët.

Dua ta nënvizoj këtu që siç mbase ju ka rënë në sy edhe nga fakti se Pfizer bëri një deklarim publik se ka krijuar një pakënaqësi publikisht, për shtyrjen me një javë për të gjitha angazhimet e veta, për të rritur prodhimin dhe ka bërë një frenim të përkohshëm për arsye të logjistikës. Ky është një proces që ka të papriturat e veta, por ne jemi të përgatitur për çdo gjë. Përveç pikës në Tiranë, kemi në plan që vaksinimi të kryhet në Shkodër, në Vlorë dhe më tej në të gjitha vendet e tjera. Do të shtrihemi në të gjithë vendin për të arritur që vaksinimi të bëhet sipas skenarit të parë”, u shpreh Rama.