Departamenti amerikan i Shtetit nxori të martën raportin e tij vjetor mbi gjendjen e lirisë së besimit në botë.
Raporti përfshin të dhëna për gjendjen e lirisë së besimit në 200 shtetet e territore, e dokumenton shkeljet e kryera nga qeveritë, grupet terroriste dhe individët.
Në këtë raport analizohet në kapituj të veçantë edhe liria e besimit në Shqipëri dhe Kosovë, në të cilat theksohen probleme të ngjashme me të kaluarën.
Raporti vë në pah se Kushtetuta e Shqipërisë garanton lirinë e besimit. Departamenti amerikan i Shtetit flet me nota pozitive për harmoninë fetare në Shqipëri dhe qëndrimin e qeverisë ndaj besimeve të ndryshme, por ai vë në dukje se është shënuar pak përparim lidhur me kthimin e pronave të institucioneve fetare.
Megjithatë, në një shembull të harmonisë fetare, raporti kujton se më 12 nëntor, myftiu i madh Skënder Bruçaj, udhëheqës i Bashkësisë Islame, mirëpriti ekipin izraelit të futbollit që do të luante me Shqipërinë.
Në të njëjtin kuadër, raporti vlerëson harmoninë fetare në Kosovë, por vë në dukje problemet kryesisht juridike, që komunitetet fetare kanë për shkak të statusit të tyre ende të papërcaktuar ligjërisht.
Megjithatë, raporti thekson se në Kosovë është e vështirë të ndahen problemet që kanë karakter etnik dhe ato me karakter fetar, sidomos kur ka përballje me serbët e Kosovës.