Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në komisionin parlamentar për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi deklaroi në fund të mbledhjes së Këshillit Politik se mazhoranca vijon të refuzojë propozimet e opozitës.

“Ajo që ngulëm këmbë është se para se të ecim më tutje duhet të jetë e qartë se cili është vullneti i mazhorancës mbi propozimet e opozitës lidhur me një çështje madhore. Brenda 31 majit Reforma Zgjedhore duhet të përmbyllet”, deklaroi ai.

Sipas Bylykbashit, deklaratat e Gjiknurit tregojnë mungesën e vullnetit politik të mazhorancës për të bërë një punë në konsensus.

“Deklaratat e Gjiknurit tregojnë mungesën e vullnetit politik të mazhorancës për të bërë një punë të bazuar në konsensus. Ne kërkojmë shprehjen e qartë nga mazhoranca, cili është vullneti i saj politik lidhur me cështjet e mëdha që shtron OSBE, për të cilat opozita ka bërë propozime konkrete. Është mazhoranca që deri më sot nuk ka dhënë asnjë përgjigje në lidhje me cështjet e sthruara, por vetëm refuzime. Është mirë që mazhoranca pa humbur kohë në mbledhjen e radhës të vijë me qëndrime konkrete. Ne çështjet e mëdha që kemi shtruar do të çojnë te zgjidhjet finale, sa i përket kodit. Nuk mund të shtrohen çështje, pa adresuar çështjet themelore të kodit. Ne jemi të gatshëm të ecim përpara”, tha Bylykbashi.