Është mbyllur pa marrëveshje takimi i Këshillit Politik me Ambasadoren Amerikane Yuri Kim lidhur me çështjen e reformës zgjedhore. Pas dështimit të mbledhjes së Këshillit më 31 Maj, që nuk arriti një dakordësi mes palëve, përfaqësuesit e Këshillit Politik kanë vijuar ditën e sotme takime të gjata në rezidencën e Ambasadës Amerikane, por pa arritur një marrëveshje të përbashkët.

Në një dalje për mediat, Ambasadorja Yuri Kim tha:

“Të tre kaluam 9 orë me anëtarët e këshillit politik, ishte një ditë e gjatë dhe e vështirë por progres është bërë., kjo ishte e vështirë të për të gjitha palët. Të gjithëve i është kërkuar që të japin që Shqipëria të fitojë. Shqipëria është në një fazë kritike të historisë së saj. 25 marsi ishte një pikë kthese, është një votë për të ardhmen e Shqipërisë në Evropë. Be ka vendosur disa kushte për negociatat, ndër to është edhe reformë zgjedhore në përputhje me rekomandimit. Qëllimi ynë sot edhe nesër, sepse do të takohemi edhe nesër, është të arrijmë një marrëveshje për të përmbushur rekomandimet e ODIHR-it. Nëse partitë do të arrijnë në konsensus përtej rekomandimeve të ODIHR, ne do ta mbështesim por nëse konsensusi për ato pika nuk arrihet atëherë palët nuk duhet ti vazhdojnë më këto kërkesa. Duam që Shqipëria të jetë në Evropë.”

Identifikimi biometrik, depolitizimi i administratës zgjedhore dhe Kolegji Zgjedhor ishin tri pikat e nxehta, ku palët nuk arrinin që të gjenin një formulë të mirëpranuar nga të gjithë.

Partia Socialiste kërkon depolitizim të plotë të admininstratës zgjedhore por opozita nuk ka besim tek procesi.

Sa i përket Kolegjit Zgjedhor, opozita kërkon që rolin e tij si organ shqyrtues i ankimimit të palëve ta marrë Gjykata Kushtetuese. Opozita e bashkuar ka deklaruar se qeveria tranzitore është kusht i padiskutueshëm dhe këmbëngul gjithashtu që identifikimin biometrik në zgjedhje të jetën në të gjithë vendin si e vetmja garanci, që sipas saj do të pengojë mbushjen e kutive të votimit. Por shumica socialiste thotë për këtë nuk ka kohë dhe garanci nga teknologjia dhe pranon kushtin të pjesshëm, pra që identifikimi biometrik të jetë vetëm në zona të caktuara.

Deri tani palët kanë arritur të gjejnë konsensus për 5 pika që lidhen me financimin e partive duke rritur financimin nga ana e shtetit dhe ulur ndjeshëm financimin nga privati, kuotën gjinore në zgjedhje ku 1 në 3 emra në lista do të jetë një grua, ndryshimi i periudhës zgjedhore, sistemin e monitorimit të kamerave dhe praninë e policisë në zgjedhje jashtë çdo qendre votimi dhe numërimi.