Mbledhja e ekspertëve të OSBE/ODIHR me përfaqësuesit politikë të tryezës së Reformës Zgjedhore ka përfunduar. Takimi që kishte nisur që në orën 17:00 kishte si synim paraqitjen e drafteve të palëve të ndryshme tek ekspertët e ardhur nga jashtë.

Në përfundim të takimit deputetja Rudina Hajdari njoftoi se nesër do të zhvillohet takimi me të gjithë ekspertët e palëve në këtë proces.

“Ishin dy ekspertë që kanë ardhur nga ODIHR, me shumë eksperiencë mbi proceset zgjedhore. Sot ishte një prezantim i tyre, nesër do të takohen të gjithe ekspertët do të merret parasysh të gjitha draftet që kemi hedhur në tryezë si në Komisionin e Reformës Zgjedhore, por edhe draftet e mëparshme”, tha Hajdari.

Optimist për mbarëvajtjen e procesit është shprehur bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri.

“ODIHR ka sjellë një grup permanent në mbështetje të grupit të punës. Nesër kemi mbledhjen tjetër ku do të fillojmë të diskutojmë propozime. Besoj se do ta gjejmë shumë shpejt konsensusin për financimin e fushatave zgjedhore”, tha ai.

Për mediat u shpreh dhe përfaqësuesi i opozitës, Oerd Bylykbashi i cili theksoi nevojën për një konsensus mbi standardet.

“Diskutuam modalitetet e bashkëpunimit. Objektivi ynë është që të  arrijmë konsensus mbi standardet e BE-së, për të garantuar që zgjedhjet e tjera të jenë të kundërta me atë që panë në 30 qershor”,- Bylykbashi.

Grupi i ekspertëve të OSBE/ODIHR do të qëndrojë në Tiranë deri më 15 mars, dita kur është dhe afati i fundit i miratimit të draftit që do të dalë nga kjo tryezë për Reformën Zgjedhore.