Sot në Shqipëri u regjistruan 17 viktima nga koronavirusi, shifra më e lartë e viktimave që nga fillimi i pandemisë.

Pas kësaj situate ka reaguar zëvendëskryeministrit, Erion Braçe i cili u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat anti-COVID dhe të shmangin daljet e panevojshme dhe të kufizohen takimet në mënyrë që të mbrojmë veten dhe familjarët.

Braçe thekson se qytetarët duhet të kufizojnë daljet në kafe dhe restorante, takimet apo edhe vajtjet në qendra tregtare e pazare, kur ato nuk janë të domosdoshme.

Zëvendëskryeministri shprehet se deri më tani është refuzuar mbyllja totale sërish e vendit, pasi kjo do të ishte një goditje për të gjithë, dhe pikërisht për të shmangur këtë, qytetarët duhet të ndërgjegjësohen.

“Më rëndë e më vështirë se sot, nuk ka qenë asnjëherë në 9 muaj! A do reagojmë apo do i lëshohemi sëmundjes? Gjithçka e kishim dhe e kemi ende ne në dorë; e di që është e vështirë kështu, por duhen kufizuar patjetër takimet jashtë shtëpie! Veç punës me masat e njohura të sigurisë-maskë, distancë, higjienë, çdo gjë tjetër duhet kufizuar; kemi refuzuar mbylljen, çfarë s’kemi thënë kundër saj, po i rezistojmë një mbylljeje të re tani, ama vetë, secili prej nesh, duhet të bej të tijen: të mbroj veten duke kufizuar takimet, prezencën në kafe, klube, restorante,  qendra tregtare, pazare etj”, shkruan në rrjetet sociale Braçe.