Intervistoi Mila Ballhysa

Rezultat të deformuar zgjedhor e konsideron koordinatori i PD në Sukth, Osman Stafa rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit. Sipas tij, përballja elektorale mes maxhorancës dhe opozitës nuk ka qenë në kushte të barabarta.

“Kushtet nuk kanë qenë reale mes dy kampeve. E majta dispononte qoftë pushtetin qendror, qoftë atë lokal dhe strukturat totale të shtetit deri në elementët më të fundit që kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në fushatë. Ky lloj ballafaqimi nuk ishte real për hir të së vërtetës, ose më mirë nuk ishte një ballafaqim normal në kushte të një opozitarizmi apo në kushtet reale të zhvillimit të demokracisë”,– thotë Stafa në një intervistë për “DurrësLajm”.

Ndërsa zërat brenda PD-së për dorëheqjen e liderit Lulzim Basha pas humbjes në zgjedhje kanë nisur të shtohen, ish-kreu i degës së PD Durrës nënvizon se “pas çdo procesi ka një përgjegjësi për hir të së vërtetës, kushdo qoftë rezultati dhe kushdo qoftë vullneti, sido që të jetë deformuar, blerë apo dhunuar ky rezultat dhe ky vullnet”.

Në të njëjtën kohë, Stafa thotë se arsyeja pse nuk është pro largimit të Bashës në momentet e tanishme është fakti se zërat kundër dolën dhe kërkuan largimin, pa u certifikuar ende rezultati.

“Vrapuan të nxitojnë për të larguar zotin Basha. Është e vërtetë që zoti Basha ka përgjegjësinë kryesore sepse është kryetari i PD-së dhe është lideri i opozitës shqiptare. Përgjegjësia kryesore është drejtpërdrejt mbi zotin Basha dhe ekipin e tij. PD vërtet ka humbur, por ky rezultat është deformuar. Vullneti i qytetarëve nuk ka shkuar tek kutia e votimit”,–  deklaron Stafa.

“Zoti Basha duhet të gjejë forcë bashkë me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, me strukturat e PD nëpër rrethe t’i tregojë qytetarëve shqiptarë se humbja nuk është një gjë e jashtëzakonshme. Problemi është çfarë fitoi shoqëria dhe çfarë fituan shqiptarët. Nga kjo humbje e PD-së kanë humbur shqiptarët, jo Partia Demokratike”,– vijon më tek ai.

Duke u ndalur tek ato që ai i quan abuzime të qeverisë, Stafa sjell një shembull konkret nga zona që mbuloi gjatë fushatës elektorale.

Ai thotë se shkolla “Njazi Mastori” e inauguruar nga vetë kryeministri Rama në muajin nëntor 2020 ishte jo funksionale deri në muajin prill 2021. Shirat e parë të rënë në fund të nëntorit dhe fillim të dhjetorit treguan sipas Stafës se punimet në shkollën që kushtoi 2 miliardë lekë ishin realizuar pa cilësi. Por edhe pas riparimit, 470 nxënësit e kësaj shkolle nuk studionin aty, por në institucionet arsimore rreth e qark. Ai drejton gishtin nga Drejtoria Arsimore dhe shoqëria e autobuzëve që nga janari deri në prill 2021 detyruan nxënësit të studionin në shkolla të tjera, larg qendrës së tyre të banimit.  

Megjithëse para se të niste fushata elektorale dhe gjatë saj, rezultati final i qarkut të Durrësit pritej të ishte shumë i ngushtë, realiteti provoi të kundërtën. Diferenca mes PS dhe PD ishte e thellë, ndërkohë që selia rozë arriti të rimerte 8 mandate, njësoj si në vitin 2017. Pavarësisht manipulimeve, presioneve, shitblerjes së votës etj, akuza këto që prej ditësh PD i artikulon në qendër dhe në bazë, a kanë edhe strukturat partiake një pjesë të fajit në këtë humbje?

“Një strukturë partie duhet të jetë aktive dhe funksionale gjatë të gjithë jetës së saj politike. Ato kanë ekzistuar në Durrës, por nuk kanë qenë funksionale. Aty ku kanë funksionuar ka pasur dobësi dhe problematika. Fushata nuk fillon 45 ditët e fundit. Forca politike bën fushatë çdo ditë, në kontakt me qytetarët dhe strukturat”,– thotë Stafa.

Pavarësisht se pranon dobësinë e strukturave, Stafa nuk i fajëson ato për humbjen.

“Megjithë këto dobësi që janë prezantuar nga strukturat e Partisë Demokratike, nuk është dobësia e strukturave të partisë që solli këtë rezultat. Është ndërhyrja drejtpërdrejt e shtetit, e mekanizmave të pushtetit dhe shtetit”,- vijon më tej koordinatori i PD për Sukthin.

Ai i sheh këto 8 vite opozitarizëm të PD-së me ulje ngritje.

“Gjatë këtyre 8 viteve ka ulje ngritjet e saj. Ka shkëlqimin e zotit Basha, por ka edhe errësimin e tij. Unë nuk i përkas atyre që thonë se zoti Basha ka shkëlqyer. Zoti Basha dhe ekipi i tij kanë pasur ulje ngritjet e tij, se në fund të fundit, Basha është epiqendra e një makinerie, një strukture të PD që duhet të funksionojë në unison”,– deklaroi Stafa.  

Ndër këto ulje ngritje ish-kreu i degës së PD-së rendit djegien e mandateve apo mospjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, të cilat lidhen me përgjegjësinë e drejtpërdrejtë në këtë proces të liderit të PD-së.