Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të rikthejë për gjykim dosjen e ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Në lidhje me këtë fakt, nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili, shprehet se mekanizmi i prodhuar i kanabizimit në kohën kur Tahiri drejtonte Ministrinë e Brendshme, nuk është çrrënjesour, sepse ende vazhdojnë të mbillen edhe sot e kësaj dite tonelata droge.

Në një intervistë për Ora News, Vasili tha se është përgjegjësi e Saimir Tahirit dhe kryeministrit Edi Rama, që sipas tij janë binom, për arsyen që Shqipëria ka damkën e narkoshtetit.

”Komenti im është vetëm një. Ky kanabizim i cili filloi dhe u kthye vërtet në një rrënim të ekonomisë të imazhit të Shqipërisë, të ekuilibrave shoqërorë dhe politikë, është një vepër e errët me një dëm të pallogaritshëm. Nuk është çrrënjosur edhe sot e kësaj dite, tonelata droge vazhdojnë të prodhohen në Shqipëri. Sigurisht nuk e ndaj Tahirin nga Edi Rama në asnjë rast, kjo përgjegjësi është e pëbashkët midis tyre. Ka bërë atë gjë që sot Shqipëria ka absolutisht një pozicion shumë të vështirë në Europë dhe damkën e narkoshtetit që nuk di se kur do të largohet. Pra ideuesit, zbatuesit dhe përfituesit e narkoshtetit, kanë qenë këta zotërinj, Tahiri dhe Edi Rama, ky binom ka përcaktuar këtë gjendje në Shqipëri.”