Kryeministri Edi Rama tha sot se rindërtimi në territor do të nisë nga familjet më të prekura dhe me më pak të ardhura dhe mundësi për të dalë situata e vështirë pas tërmetit.

Gjatë fjalës së tij në konferencën për prezantimin e projekteve të rindërtimit, Rama foli për fillimin e procesit të garës ndërkombëtare për të ftuar të gjitha kompanitë e huaja apo vendase, të cilat do të përfshihen në procesin e rindërtimit duke nisur nga banesat individuale.

“Gara ndërkombëtare për të ftuar të gjitha kompanitë e huaja apo vendase të cilat do të përfshihen në procesin e rindërtimit duke nisur nga banesat individuale. Ndërkohë që vazhdon puna për planet zhvillimore në zonat urbane ku bëhet fjalë për banesa me shumë njësi, pra apartamente në lagje apo blloqe të reja banimi. Është realizuar gjithçka që është e nevojshme nga pikëpamja e projektimit për banesat individuale në zonën rurale.  Rindërtimi në territor do të nisë nga familjet më të prekura dhe më me pak të ardhura dhe mundësi për të dalë nga kjo situatë e vështirë pas tërmetit por që përveç të tjerave janë të detyruar të qëndrojnë në çadra pranë shtëpisë së rrënuar sepse nuk mund të shkëputen nga toka, gjëja e gjallë. E kanë më urgjente sesa të tjerët domosdoshmërinë që të hyjnë nën një çati të re.”