Një risi interesante ka nisur të aplikohet në zyrat e bashkisë së Shijakut, ku kreu i saj Elton Arbana, do të ndajë me stafin njohuritë e tij në gjuhën turke.

Mësimi do të zhvillohet dy herë në javë, ndërsa nuk do të mungojë dhe përforcimi i anglishtes nga këshilltari i Arbanës.

Në një status në “Facebook”, kryebashkiaku Arbana shkruan se mësimi i një gjuhe të huaj jo vetëm na ndihmon në zgjerimin e kufijve të mendimit, por është një lloj pasaporte drejt suksesit.

Ne mendojmë se motivimi i stafit të Bashkisë është shumë i rëndësishëm për të pasur një rezultat sa më produktiv në punët e përditshme. Njeriu dhe bota janë KOMUNIKIM i vazhdueshëm, ndaj përveç organizimit racional dhe me përgjegjshmëri në punët e përditshme administrative, ne gjejmë kohë dhe për zhvillimin e vazhdueshëm profesional”, shkruan Elton Arbana, teksa ka shpërndarë edhe thëniet e ditës në të tria gjuhët.

Kujtojmë se kryetari i bashkisë së Shijakut ka studiuar në Turqi.