Presidenti Ilir Meta shkruan në Facebook se shpopullimi i Shqipërisë është drama më e madhe që i ka ndodhur vendit në dekadën e fundit dhe e cilëson si sfidën më të madhe që kërkon reflektim dhe zgjidhje konkrete.

Teksa i referohet raportit të Institutit për Studime Ekonomike Ndërkombëtare të Vjenës publikuar nga Monitor, Meta shprehet se me ritmet e shpopullimit në dekadën e fundit ky fenomen rrezikon të kthehet në një fatkeqësi kombëtare.

POSTIMI I PLOTË

Ndalimi i shpopullimit të Shqipërisë, dramës më të madhe që i ka ndodhur vendit dekadën e fundit, është sfida më e madhe, që kërkon reflektim urgjent dhe zgjidhje konkrete.

Sipas Institutit për Studime Ekonomike Ndërkombëtare të Vjenës, nga viti 2010 deri në vitin 2019 janë larguar nga Shqipëria rreth 500 mijë qytetarë, disa herë më shumë në krahasim me Serbinë, Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

Me këto ritme dramatike zbrazja e Shqipërisë rrezikon të kthehet në një fatkeqësi kombëtare.

Adresimi i menjëhershëm i këtij fenomeni është emergjencë dhe çdo neglizhencë e mëtejshme do të kishte pasoja katastrofike.