Sa herë që ai shfaqet në krah të Lulzim Bashës përbën lajm. E sidomos kur motra e tij, Rudina Hajdari vendosi të mos dorëzojnë mandatin e deputetit. Kiri Hajdari dhe këtë të shtunë ka marrë pjesë në protestën e opozitës, ndërsa në një status në rrjetet sociale komenton dhe veprimin e motrës.

“Edhe pse me Rudinën kemi zgjedhur mënyra të ndryshme, qëllimi mbetet përherë i njëjtë. Fitore e opozitës si e vetmja forcë kombëtare që punon për interesat e shqiptarëve dhe jo për pushtet të një grupi njerëzish pa ideale. Unë jam i bindur fort se NE, fëmijët e themeluesit të Partisë Demokratike, kurrë nuk lëshojmë nga parimet dhe vlerat që ai na brumosi që të vegjël dhe që na udhëhoqën gjatë jetës. Besimin tek mrekullia e lirisë, tek të drejtat njerëzore dhe mosdorëzimin deri në fitoren e tyre. Nuk mund të ketë vend kurrsesi për dyshimin më të vogël “mbi shkëmbim favoresh personale apo familjare ” pas zgjedhjes politike të Rudinës, sikurse nuk ekziston asnjë imponim, asnjë urdhër, pas zgjedhjes sime, për të protestuar me opoziten, jashtë Parlamentit”, shkruan Kiri Hajdari.

Djali i Azem Hajdarit thotë se qeveria e drejtuar nga Rama i ka ditët e numëruara, është me e gjallë se kurrë. Në fakt, pasi zonja Hajdari bëri publik vendimin, nga Partia Demokratike kanë ardhur reagime të moderuara, ndërsa ka nga ata që justifikojnë duke e lidhur me moshën e saj.