Valbona Sakollari, kandidatja e Bindjes Demokratike për bashkinë e Durrësit ka takuar sot tregtarët e tregut industrial të qytetit.

Sakollari shkruan në Facebook se gjatë takimit ka biseduar me tregtarët për problemet dhe shqetësimet e përditshme ndërsa shprehet e indinjuar për mungesën e masave nga ana e Bashkisë dhe institucioneve të tjera në lidhje me konkurrencën e pandershme dhe informalitetin e denoncuar nga qytetarët.

"Tregu industrial është një ndër zonat më të rëndësishme të Durrësit, pasi është burimi i të ardhurave edhe pse shumë të pakta për dhjetra familje. Në takimin me qytetarët folëm për shumë probleme dhe shqetësime të përditshme, ndërkohë që mes shumë të tjerash u indinjova kur dëgjova se qytetarët kishin denoncuar përmes shumë kërkesave drejtuar Bashkisë konkurrencën e pandershme dhe informalitetin. Nga Bashkia dhe institucionet e tjera nuk ishte marrë asnjë masë. Mendoj se ka ardhur koha që qytetarët e Durrësit duhet të marrin në dorë drejtimin e qytetit të tyre, absolutisht të orientuar në mënyrë të padrejtë drejt informalitetit bandave dhe krimit", shkruan Sakollari.