Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Eduard Selami ka dalë pasditen e sotme në një konferencë për mediat nga selia blu, ndonëse votimet brenda PD nuk kanë përfunduar ende.

Demokrati Selami denoncoi pjesëmarrjen e kryetarëve të degëve të PD në këtë proces.

Edhe më herët, Selami tha se kryetarët e degëve të Partisë Demokratike nuk duhet të jenë në komisionet e votimit, pasi sipas tij mund të ketë ndikime në anëtarësi për të votuar një kandidat apo tjetrin.

Gjatë ditës së sotme Selami u shpreh se gara brenda PD për kreun e partisë nuk është e barabartë. Në deklaratën për mediat, kandidati për kreun e PD dha edhe gjykimin e tij për ecurinë e procesit.

“Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë votuar në këto zgjedhje historike dhe për rrugën që do të marrë PD, e cila është në krizën e saj më të madhe në 27 vite. Dua të falënderoj edhe përfaqësuesit e mi, se nuk është e lehtë të jesh përfaqësuesi i Selamit në këto zgejdhje. Kujtoj që gara nuk është e barabartë. Ka patur ndërhyrje të disa kryetarëve të degëve, jo të gjihë. Kanë ndërhyrë, dhe u kanë kërkuar anëtarëve të votojnë Bashën, dhe kjo është e gabuar. Fotografia e Bashës është ë vendosur në qendrat e votimit, dhe unë kam kërkuar që edhe kjo të mos jetë. Kjo është një shkelje e neutralitetit. Po kështu ka patur rraste të mungesës së emrin në listë të disa anëtarëve. Megjithëse ky proces është ende në vazhdon dhe është shpejt akoma për të nxjerrë një rezultat përfundimtar, unë vendosa t’i shpreh këto shqetësime. Do ishte mirë që numërimi të bëhej nëpër degët e rretheve”,tha Selami.