Deputetja socialiste e Shkodrës, Senida Mesi i është përgjigjur kreut të opozitës, Lulzim Basha, pasi ky i fundit publikoi dje procesverbalin e mbledhjes së PS në këtë qytet të zhvilluar një ditë para se votohej kryetarja e këshillit bashkiak, duke denoncuar blerjen e votave me anë të krimit.

Mesi shkruan se Basha është një dështak dhe loja jashtë sistemit ka vetëm një emër “dështim”. Sipas saj, nëse Basha do të ishte lider, do kishte gjetur prova dhe do i kishte dërguar gjithë të fortët e trafikantët pas hekurave në kohën kur ishte vetë ministër i Brendshëm.

POSTIMI I PLOTË

Mora vesh që Lulzim Basha, ka nevojë për mua për “kauzën e tij RAMA IK”, se normal edhe ato pak demokratikas që kishte i largoi dhe përmes “proçesverbalit” të mbledhjes së PS Shkodër të shkruar në zyrat e PD-së kërkon ndihmë. Po të ishte burrë, s’do kishte patur nevojë të më citonte dhe të thoshte atë çfarë unë paskam “dëshmuar”, por do e kishte thënë vetë.

Po të ishte lider, do të kishte gjetur vetë provat dhe do të kishte dërguar gjithë të fortët dhe trafikantët pas hekurave që në kohën kur ishte Ministër i Brendshëm. Lulzim Basha, betejat e mija në jetë i kam bërë dhe do vazhdoj t’i bëj vetë, me integritet dhe dinjitet. Po ti kur do i bësh i vetëm betejat e tuaja?

Lulzim Basha, nëse do të bësh ndryshimin, krijo besimin dhe parakushti është të thuash të vërtetën. Njerëzit mund të falin gabimet e mendjes por jo ato të shpirtit. Nuk jam unë as shkaku e as problemi, shiko nga vetja dhe së paku të kuptosh një herë të vetme se loja jote jashtë sistemit ka vetëm një emër Dështim, ndërsa ai që sjell dështimin e ka një emër Dështak.