“Shanset s’janë aty gjithmonë”! Bushati thirrje të fortë gjithë politikës: Duhet një Pakt Kombëtar

30/09/2019 - 16:08

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka komentuar vendimin e Bundestagut gjerman për t’i thënë “PO” hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, duke vendosur nëntë kushte.

Në një intervistë për “DW”, ish-ministri Bushati thekson se përgjithësisht procesi i zgjerimit është shoqëruar me elementë të kushtëzimit demokratik, duke shtuar se është e rëndësishme që politika shqiptare t’i kthejë kushtet e Gjermanisë në një plan konkret pune, pasi përgjegjësia është edhe e qeverisë, edhe e opozitës.

“Besoj se më shumë se sa të futemi në një debat apo rivalitet se ndaj kujt drejtohen kushtet e Gjermanisë dhe Bundestagut gjerman është momenti përcaktues për të ndërtuar një Pakt Kombëtar për Europën. Një Pakt Kombëtar për Europën që shtrihet përtej kushtëzimeve të Bundestagut gjerman sepse po të lexojmë dokumentin, dokumenti nuk ka të bëjë thjesht vetëm me fillimin e bisedimeve për anëtarësim dhe punën konkrete për hapjen e kapitujve për anëtarësim, por është një dokument që do ta shoqërojë deri në fund procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. Ndaj, na duhet që përmes këtij Pakti Kombëtar për Europën që shkon përtej partive politike, ne të kemi mundësi që të përcaktojmë objektivat, strategjinë, burimet njerëzore, përfshirë shqiptarët e diasporës, burimet financiare të paktën për dekadën e ardhshme për këtë proces”, thekson ish-ministri.

DW: Z.Bushati, Bundestagu gjerman i tha “PO” hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, por me disa kushte. A është ky një lajm i mirë për shqiptarët?

Ditmir Bushati: Ky është një proces ndërmjet Bundestagut gjerman dhe qeverisë federale. Me pak fjalë, Bundestagu gjerman përcaktoi vijën e sjelljes që qeveria gjermane do të duhet të respektojë në raport me vendet e tjera anëtare të BE-së, kur të trajtojnë çështjen e fillimit të bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë. Në këtë kontekst, Bundestagu dhe Gjermania përqafojnë një qasje të kushtëzuar dhe të përshkallëzuar. Nuk duhet të na bëjë shumë përshtypje sepse përgjithësisht procesi i zgjerimit është i shoqëruar me elementë të kushtëzimit demokratik dhe në këtë kontekst është e rëndësishme që ne, këto kushtëzime, t’i kthejmë në një plan konkret pune dhe të kuptojmë që përgjegjësia në këtë proces apo barra në këtë proces është kryesisht e qeverisë dhe e mazhorancës që drejton vendin, por nga ana tjetër opozita duhet të kuptojë që përgjegjësia në këtë proces është e përbashkët. Besoj se më shumë se sa të futemi në një debat apo rivalitet se ndaj kujt drejtohen kushtet e Gjermanisë dhe Bundestagut gjerman është momenti përcaktues për të ndërtuar një Pakt Kombëtar për Europën. Një Pakt Kombëtar për Europën që shtrihet përtej kushtëzimeve të Bundestagut gjerman sepse po të lexojmë dokumentin, dokumenti nuk ka të bëjë thjesht vetëm me fillimin e bisedimeve për anëtarësim dhe punën konkrete për hapjen e kapitujve për anëtarësim, por është një dokument që do ta shoqërojë deri në fund procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. Ndaj, na duhet që përmes këtij Pakti Kombëtar për Europën që shkon përtej partive politike, ne të kemi mundësi që të përcaktojmë objektivat, strategjinë, burimet njerëzore, përfshirë shqiptarët e diasporës, burimet financiare të paktën për dekadën e ardhshme për këtë proces.

DW: Çfarë duhet të presim deri në tetor?

Ditmir Bushati: E para, nuk duhet të presim asgjë. Ne do të duhet që t’i kishim bërë punët tona, sepse edhe po të mos ekzistonin fare kushtëzimet e Bundestagut gjerman, edhe sikur të mos ekzistonin fare kriteret e Kopenhagenit për anëtarësimin në Bashkimin Europian, besoj është nevoja e brendshme jona për të ndërtuar një shoqëri europiane këtu. Për të ndërtuar një shoqëri të së drejtës dhe jo një shoqëri tregu; për të ndërtuar një shoqëri që bazohet tek ekonomia e dijes dhe jo një shoqëri që bazohet tek krahu i lirë i punës; për të ndërtuar një kapitalizëm demokratik ku i jepet mundësia secilit të ofrojë më të mirën dhe jo një kapitalizëm grabitqar. Deri tani, për fat të keq, ne këtë proces e kemi trajtuar si një çështje kushtëzimesh dhe shumë pak e kemi trajtuar si një çështje që ka të bëjë me standardet e prekshme të jetës tonë në praktikë. Prandaj mendoj se sa më shpejt që të dalim nga labirinthi i vetëmashtrimit, aq më shumë do të kemi mundësi për t’i ofruar qytetarëve tanë një perspektivë të prekshme në këtë drejtim. Dhe këtë gjë duhet ta bëjmë ne! Do të ishte iluzive që të mendonim që vendet e tjera anëtare të BE-së apo institucionet europiane apo miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, sado ta duan Shqipërinë, nuk mund të bëjnë diçka që do të duhet ta bëjmë ne. Nuk duhet të harrojmë që BE-ja e sotme nuk është në ditën e saj më të mirë, sepse nga njëra anë ne shohim Gjermaninë që ka një qëndrim kushtëzues të përshkallëzuar, siç i takon në fakt një partneri të ndershëm dhe kritiku të drejtë siç është Gjermania – një vend i cili jo vetëm është lokomotiva kryesore e Bashkimit Europian por ka një analizë dhe qasje molekulare ndaj të gjitha zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor – dhe nga ana tjetër kemi Francën që kërkon të ketë një diskutim më strategjik për zgjerimin, për të ardhmen e Bashkimit Europian, dhe pse jo, për ta ngadalësuar këtë proces derisa të reformohet Bashkimi Europian. Dhe në këtë lloj situate, ne duhet të bëhemi të vetëdijshëm dhe duhet të kapim trenin e radhës dhe të kuptojmë që shanset nuk janë aty përgjithmonë.

DW: Kryeministri grek ka specifikuar që nuk ka hapje negociatash për Shqipërinë pa u zgjidhur problemet e minoritetit grek në Shqipëri. Ndërkohë që Greqia është një shtet me të cilin ju patët një sërë negociatash në kohën kur ishit ministër i Jashtëm, një prej tyre dhe ndër më kryesoret, edhe marrëveshja për detin…

Ditmir Bushati: Është e vërtetë që vjet, Greqia sëbashku me Italinë, kanë qenë dy prej vendeve të cilat u bënë promotorët kryesorë të advokimit të fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe kjo është edhe arsyeja pse u përshëndetën publikisht nga ana e kryeministrit dhe nga ana e qeverisë shqiptare. Gjithmonë kam besuar dhe besoj që është në interesin e fqinjëve që të kenë një marrëdhënie të mirë me njëri-tjetrin, të kultivojnë një marrëdhënie sa më të mirë me njëri-tjetrin. Nuk besoj që është në dëshirën por as në interesin e Greqisë për të kushtëzuar apo penguar avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Sikundër mendoj që standardet që janë arritur përsa u përket të drejtave të pakicave kombëtare, përfshirë pakicën greke, e cila është një pakicë e respektuar, janë ato standarde që janë arritur edhe falë avancimit të Shqipërisë nëpër organizmat ndërkombëtare, si anëtarësimi në Këshillin e Europës, apo fakti që Shqipëria është vend kandidat në Bashkimin Europian. Në këtë kontekst, mendoj që fillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE do të jetë një mundësi e mirë, në radhë të parë edhe për Greqinë, për ta ndihmuar vendin tonë për të zbatuar këto standarde. Sikundër besoj fuqimisht që çështjet që ne i kemi trajtuar me qeverinë greke në paketë, që janë çështje të marrëdhënieve dypalëshe janë më shumë sesa thjesht çështja e pakicës kombëtare greke në Shqipëri. Janë çështje që e kanë origjinën tek ligji i Luftës që është ende në fuqi. Pra, nga çështjet e karakterit historik që prodhojnë pasoja edhe sot, e për të shkuar me radhë tek çështjet e aktualitetit. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që çështjet në paketë të vazhdojnë në mënyrë që të adresohen në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe me shpirtin europian që duhet të karakterizojë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.

DW: Këshilltari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, z.Robert Hand, deklaroi në një intervistë pak kohë më parë që ndryshimet e bëra në Ministrinë e Jashtme shqiptare mund ta bëjnë paksa skeptik në lidhje me marrjen e presidencës së Shqipërisë për drejtimin e OSBE-së në vitin 2020. Çfarë komenti keni?

Ditmir Bushati: Marrja e drejtimit të OSBE-së nga ana jonë është një prej fitoreve të mëdha të politikës së jashtme, por jo vetëm, pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Marrja e drejtimit të OSBE-së është një mundësi e artë për Shqipërinë. Jo vetëm për të testuar kapacitetin tonë ndërveprues, në kuptimin politik të fjalës, me vende të kësaj organizate, por edhe për të konfirmuar pozicionin tonë si pol stabiliteti në rajon. Natyrisht që është një fitore historike, e cila duhet shoqëruar gjithashtu me veprime konkrete në praktikë. Duhet të krijojmë një platformë të qartë politike konsensuale duke përfshirë të gjitha institucionet e shtetit shqiptar por jo vetëm, në veprimtarinë gjatë kryesimit të OSBE-së. Dhe duhet të jetë një proces i cili të krijojë një impakt pozitiv, të drejtëpërdrejtë, në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian nga njëra anë, dhe në fitimin e vendit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, nga ana tjetër. Besoj që së pari tejkalimi i situatës politike dhe ndasive të theksuara në Shqipëri dhe fuqizimi i kapacitetit dhe veprimit politik e diplomatik mund ta kthejnë drejtimin e OSBE-së nga ana e Shqipërisë në një histori suksesi. /DW

/portali DurresLajm/

Video: 
Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj ka bërë fajtorë të drejtpërdrejtë kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e

Teksa Kuvendi miratoi me 77 vota pro ligjin për krijimin e korporatës së investimeve ekspertët ngrenë pikpyetje për mënyrën e funksionimi

Për ish-deputetin e PD, Gent Strazimiri ajo që ndodhi në Këshillin Evropian është një bllokim që Evropa i bëri qeverisë dhe Ramës, por jo

Rritja e numrit të turistëve italianë në Shqipëri, ka sjellë në Tiranë rreth 60 tur operatorë dhe përfaqësues agjencish të rajonit të Pul

Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Partinë Demokratike, Arben Kashahu është shprehur se nuk është faji i Europës për moshapjen e

"Teksa këtu rreken ende të gjejnë fajtorin diku tjetër, e të mos mbajnë përgjegjësi për asgjë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka

Gjatë deklaratës për shtyp, ministri i Jashtën në detyrë, Gent Cakaj foli për rastin e Alvin Berishës, 11-vjeçarit që u dërgua në kampet

Ministri i Jashtëm Gent Cakaj iu drejtua sot sërish mediave lidhur me vendimin e një ditë më parë të BE për të mos çelur negociatat me Sh

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar një ditë pas vendimit të Këshillit Europian, i cili vendosi që Shqipërisë dhe Maqedonisë

Kryeministri italian, Giuseppe Conte tha se Italia do t’i propozojë Bashkimit Europian të hap në muajin nëntor negociatat për Shqipërinë