John Leonardo, një prokuror i rëndësishëm në SHBA, tashmë pjesë e tetë këshilltarëve ndërkombëtarë për të pastruar Shqipërinë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar.

Leonardo ka dhënë një intervistë për portalin amerikan Tucson.com. BE kërkon që Shqipëria të kalojë në proces vetingu 800 gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë, duke ofruar 10 milionë euro për financimin e këtij procesi.

"Është hera e parë që provohet një metodë e tillë e veçantë. Nuk ka asnjë model të mëparshëm. Pritshmëritë janë shumë të larta në një vend ku shumë gjyqtarë dhe prokurorë do të humbasin vendin e punës. Në këtë vend ka një korrupsion galopant në shumë fusha: Polici, gjyqtarë, prokurorë." thotë Leonardo.

I pyetur se cili është roli i tij, ai thotë: "Jemi tetë nga ne, në një dhomë të madhe. Të gjithë kemi të paktën 15 vite si gjykatës ose prokurorë në vendet tona. Është një grup me goxha eksperiencë- shumë prej nesh kanë punuar në vende të tjera më parë. Ne duhet të japim këshilla ndaj institucioneve të vetingut për çështjet ligjore dhe teknikat investiguese, strukturat organizative dhe interpretimet e ligjit të vetingut. Ky proces do të shkojë nga 4 deri në 5 vite."