Drejtues dhe mbështetës të Partisë Demokratike në Durrës janë mbledhur sot para selisë së degës për të protestuar për shembjen e Teatrit Kombëtar. Ata kanë tentuar të nisen drejt Tiranës, për t’u bashkuar me protestuesit në shesh, por nuk janë lejuar nga postblloqet e policisë, që sipas kreut Ferdinand Xhaferaj ishin plot 17 të tillë përgjatë gjithë autostradës për të kufizuar qytetarët.

Sipas Xhaferajt, shembja e Teatrit Kombëtar, në orët e para të mëngjesit të sotëm, ishte një provokim i kryeministrit Rama ndaj qytetarëve.

“Kësaj i thonë të provokosh qytetarët në kohë pandemie, t’i prekësh deri në ekstrem që të dalin të protestojnë. Sot, në mënyrë instiktive, këta qytetarë durrsakë kanë ardhur tek PD. Sot nuk është shembur Teatri, sot është shembur shteti i së drejtës, sot është shembur demokracia. Zanafilla nuk është sot, ajo fillon që me zgjedhjet e vitit 2017, kur ky nuk erdhi si kryeministër me lirinë e votës, por me paratë e drogës.” – tha Xhaferaj.

Më tej, kreu i PD Durrës tha se Rama “pasi ka rrënuar ekonominë, pasi ka rrënuar rininë, biznesin, pensionistët, arsimin, tani po rrënon edhe artin e kulturën”.   

Lideri i PD, Lulzim Basha, dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, u bënë apel sot qytetarëve që të mos respektojnë gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Në disa qytete të vendit pati tentativa nga mbështetës të PD për t’u nisur drejt kryeqytetit, por ata nuk u lejuan nga policia.