Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm mbrëmjen e sotme në aktivitetin “Përtej kujtimeve”, organizuar në kuadër të 70-vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-Kinë.

Gjatë fjalës së tij, Rama foli dhe për projektin e “Shengenit Ballkanik”. Ai tha se përmes këtij projekti në Shqipëri pritet të ketë fluks turistësh kinezë. Kryeministri theksoi se turistët kinezë nuk do të marrin seri vizash për të ardhur në Shqipëri, por mjafton të jenë të pajisur vetëm me një vizë.

“Portofoli i kësaj marrëdhënie nuk ka asnjë mundësi të tjetër përveçse të njohë rritje të vazhdueshme. Pas “WB Shengeni Ballkanit”, ne besojmë se do të kemi një boom turistësh kinez sepse në muajt në vijim do të dakordësojmë, që për turistët kinezë nuk do jetë e nevojshme të kenë më shumë sesa një pikë hyrëse. Në të gjithë zonën ku do funksionojë do të jetë e mundur që ata të lëvizin pa viza. Nëse sot Shkupi dhe Beogradi kanë numrin më të madh të turistëve kinezë, mundësia për të ardhur në Tiranë, përmes aeroportit, apo rrugës pa vizë do të rrisë shumë kapacitetin e ofertës sonë në raport me kërkesën në rritje. Ne besojmë që Kina është një potencial i pashfrytëzuar në aspektin kulturor dhe në aspektin e asaj që sjell bashkë me kulturën e larmishme sjell dije të thellë dhe të gjithanshme. Mes kulturave tona ka pasur një marrëdhënie dashurie, por sot ka një boshllëk që me vënien në funksion të disa elementëve do të mund të sjellë shumë më tepër,”- tha Rama.