Ka nisur me debate seanca e komisionit të ligjeve, sapo aty është paraqitur Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku për të raportuar mbi gjendjen e kriminalitetit në vend.

Deputetët e opozitës kishin kërkuar anulimin e mbledhjes me anë të një letre drejtuar kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi, për shkak se thonë që shkel rregulloren për nga mënyra si është thirrur.

Pasi kreu i komisionit, Ulsi Manja tha “kemi ftuar Prokuroren e Përgjithshme”, deputetët e opozitës reaguan menjëherë duke thënë: “ështe e përkohshme”.

Deputeti demokrat Edi Paloka tha “ajo nuk përfaqëson një institucion kushtetues se është zgjedhur me 69 vota. As gjithë votat e mazhorancës nuk ka marre”, u shpreh ai teksa iu drejtua “me çfarë tagri e keni thirrur Markun?”.

Deputetët e PS-së sqaruan se Marku është thirrur për të raportuar dhe raportimet futen automatikisht në rendin e ditës.