Shkarkimi i prefektit të Shkodrës për Partinë Demokratike është një kurban i qeverisë. Ish-deputeti Bardh Spahia në një reagim pas këtij vendimi të qeverisë, thotë se për dështimin në Shkodër ia hedh fajin prefektit.

Sipas Spahisë, Ramës i përdor njerëzit si lecka njëpërdorimshme. Ndërsa thotë se numri i të infektuarve në Shkodër u rrit pas rritjes së numrit të testeve.

Reagimi i Bardh Spahisë

SHKODRA DHE LOJA E PERGJEGJESIVE TE RAMES

3 të infektuar të rinj me COVID-19 në Shkodër, e një në Pukë e çuan në 53 numrin e të prekurve, sipas shifrave zyrtare. Njëlloj si në shifrat totale, ato u rritën pasi u rrit numri i testimeve, ç’ka tregon se situata në terren është tjetër nga shifrat e ofruara. Por Shkodra po tregon se sa pak vëmendje ka patur nga qeveria. Pasi i sulmoi pacipësisht kryetaren e Bashkisë dhe qytetarët e Shkodrës për situatën me COVID-19, Rama e bëri një kurban nga radhët e veta, për t’ia hedhur përgjegjësinë, prefektin e Shkodrës.

Tejet qesharak justifikimi, se prefekti nuk paska treguar lidership e vendimmarrje, kur dihet mirë se as ministrat nuk guxojnë të vendosin vetë, nën pushtetin e Edi Ramës. Është thjesht mënyra se si një individ, i përdor njerëzit si lecka njëpërdorimëshe, por edhe frika që ka nga Shkodra, edhe nga vetë socialistët shkodranë, të cilëve po u centralizon edhe drejtimin e një institucioni vendor si Prefekti, me një të përzgjedhur nga Tirana.

Njëlloj siç u ka bërë edhe me partinë, nuk merr në konsideratë asnjë socialist vendas që t’i japë besim, por kjo është një cështje e tyre e brendshme. Sidoqoftë, fakt është se kjo qasje ndaj Shkodrës ka sjellë mungesën e vëmendjes institucionale në këtë kohë sfiduese me virusin Korona, dhe Rama përgjegjësinë po e hedh edhe tek të vetët. Në fakt çdo funksionar vendor, i djathtë apo i majtë, çdo anëtar i personelit shëndetësor, e di mirë se c’ka qeveria u ka ofruar deri tani, ka qenë vetëm presioni për të mos folur, për të mos u ankuar për pajisjet e munguara mbrojtëse, për mungesën e testeve e madje edhe moszbatimin nga policia të detyrimit për karantinim të shtetasve të ardhur nga Italia.

Kurbanët brenda vetes janë problemi i Ramës dhe i ndjekësve të tij natyrisht, por Shkodra duhet të marrë mbështetjen që i takon, me të gjitha mjetet që i duhen për t’u përballur me COVID-19. Nuk është çështje dëshire, por detyrimi institucional e shtetëror në çdo vend demokratik!