Shqipëria dhe Kosova kanë anuluar pjesëmarrjen e tyre në Samitin për Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) që këtë herë mbahet në Sarajevë të Bosnje-Hercegovinës.

Ka qenë Kosova e para që njoftoi mospjesëmarrjen në këtë samit. Presidenti Hashim Thaçi tha se sjellja e zyrtarëve të Bosnje-Hercegovinës ndaj Kosovës është njësoj si ajo e Serbisë.

“Përkundër vullnetit dhe gatishmërisë për të marrë pjesë në Samitin për Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), ftesa denigruese e kryetarit aktual të kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, e bënë të pamundur pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e Kosovës në këtë takim. Kosova gjithmonë ka qenë dhe është e gatshme për marrëdhënie të mira fqinjësore me Bosnje e Hercegovinën dhe për njohje reciproke. Por, fatkeqësisht, ky vullnet i ynë është keqpërdorur në vazhdimësi, njësoj sikurse tani me rastin e organizimit të SEECP-së nga Bosnja e Hercegovina. Minimumi që kërkon Kosova për pjesëmarrje në forume të tilla është trajtimi i barabartë me shtetet tjera pjesëmarrëse. Sjellja e Bosnjës dhe Hercegovinës është e papranueshme dhe paradoksale, meqë përfaqësuesit e saj aplikojnë praktika tërësisht antievropiane, që nuk dallojnë me ato të Serbisë. Me një qasje të tillë destruktive, bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor mbetet një parakusht i paarritshëm në rrugën për anëtarësim në BE”, thotë Presidenti i Kosovës.

Kurse ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj tha se vendi ynë qëndron në krah të Kosovës, duke bojkotuar kështu këtë samit. Sipas Cakajt, trajtimi i organizatorëve ndaj Kosovës është i papranueshëm, e kësisoj nuk do të ketë bashkëpunim.

“Shqipëria ka anuluar pjesëmarrjen e saj në samitin e SEECP në solidaritet me Kosovën. Trajtimi që kanë bërë organizatorët është i papranueshëm dhe në kundërshtim me krijimin e një atmosfere besimi, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe stabilitetit. Nuk ka bashkëpunim pa trajtim të barabartë”, thotë ministri Cakaj.

Bosnje-Hercegovina është në mesin e shteteve që nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës. Nga ana tjetër, Kryeministri Haradinaj ka vendosur ndaj Bosnjes të njëjtën taksë si ndaj Serbisë, dhe ka thënë se do të hiqet kur Sarajeva zyrtare të njohë Kosovën si shtet të pavarur.