Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka deklaruar sot në Parlament se negociatat nuk janë hapur dhe as janë shtyrë në qershor 2019. Sipas tij, qeveria ka ngelur në klasë me testimin më të rëndësishëm të Shqipërisë në Europë.

Spaho theksoi qëndrimin e opozitës te pastrimi i parave të pista, që sipas tij drejtohet nga kryeministri Rama.

“Negociatat nuk u hapën, qeveria feston, kjo është absurde. Shqipëria është kthyer në lavatriçen më të madhe të pastrimit të parave në botë. Me se do ndërtohen kullat, ku gjenden paratë? Ndërtimet me vetëfinancim? Ku qenka kjo gjë, në asnjë ekonomi tregu në botë nuk ndodh, por këto janë para të drogës dhe të krimit. Po rritet ndërtimi, po nga vijnë paratë? Ra kursi i këmbimit, sa euro kanë hyrë në vend? Krimi i organizuar ka lidhje me qeverinë. Ata që thonë se është eliminuar kultivimi i kanabisit, thjesht gënjejnë”, shtoi Spaho.

Sipas demokratit, Prokuroria dështoi edhe me kryerjen e ekspertizës së audio-përgjimit të vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. “Pse nuk ka ardhur ekspertiza nga Italia?”, theksoi ai.