Në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit, evenimentin më të spikatur botëror për këtë industri, i cili zhvillohet në Londër në World Travel Market, Shqipëria turistike kishte stendën e saj.

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, në ditën e parë të Panairit në stendën e Shqipërisë, u takua me ministrin kroat të Turizmit, Gari Cappelli dhe ministren spanjolle, Reyes Maroto.

“Në ditën e parë të Panairit Ndërkombëtar të Londrës (World Travel Market) në stendën e Shqipërisë, në takime me ministrin kroat të turizmit, Gari Cappelli dhe ministren spanjolle, Reyes Maroto. Bashkëpunim në fushën e turizmit, për të marrë eksperiencën më të mirë të dy vendeve në agroturizëm dhe zhvillimin e turizmit blu në Shqipëri”, bëri të ditur Klosi.

Po ashtu, Klosi vuri në dukje se ka pasur interesim të madh pranë stendës së Shqipërisë në ditën e parë të Panairit të Londrës (World Travel Market), ku pala shqiptare ka prezantuar edhe strategjinë për turizmin e qëndrueshëm, me pjesmarrës tur operatorë të huaj dhe vendas, si dhe organizatat përgjegjëse për zhvillimin e turizmit.

Ky panair, që organizohet çdo vit në kryeqytetin britanik, është eventi më i rëndësishëm në industrinë e udhëtimeve. Ai konsiderohet si një nga ngjarjet e pritura dhe me më shumë interes për takimet “business-to-business”, që prezantojnë në Britaninë e Madhe një gamë të gjerë të destinacioneve dhe sektorëve të industrisë, si dhe për profesionistët ndërkombëtarë të udhëtimeve.

Vendi ynë përherë e më shumë po promovohet dhe jashtë kufijve me anë të takimeve dhe panaireve të shumta që po zhvillojnë institucionet përkatëse, ku fokus është prezantimi i aseteve të veçanta që vendi ynë ofron në turizëm. 

Për të ndjekur nga afët këtë panair të rëndësishëm ka qenë e pranishme edhe kryebashkiakja e Durrësit, Valbona Sako.