Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe kryetarja e Komitetit të Ekspertëve, Mira Rakacolli foli gjatë mbledhjes së sotme edhe për çështjen e votimit më 25 prill të personave të prekur nga COVID-19.

Rakacolli tha se “e kemi në vëmendje organizimin e votimit për personat që do të jenë të infektuar dhe së shpejti do kemi një vendim”.

Ndërkohë sa i përket masave, jo të rrepta të marra për situatën e pandemisë, duke iu referuar vendeve fqinje si Greqia dhe nëse kjo bëhet për shkak të periudhës parazgjedhore, Rakacolli tha se masat janë gjykuar në lidhje me treguesit dhe se shëndeti i njerëzve është mbi gjithçka tjetër, pavarësisht situatës politike.

“Absolutisht nuk lidhen me zgjedhjet. Ne gjatë gjithë kohës, që në fillim, që prej një viti kemi dëshmuar që kemi mbajtur një qëndrim të arsyeshëm. Kemi parasysh një gjë, që infeksioni i Sars-COV2 dhe i sëmundjes COVID-19 erdhi njëkohësisht në gjithë botën, ishte një ngjarje e re për gjithë botë dhe është një ushtrim që bota po bën në të njëjtën kohë. Të tërë nisemi nga shkenca epidemiologjike, nga masat që shkenca epidemiologjike sugjeron. Komiteti i ekspertëve në vazhdimësi i ka gjykuar masat në lidhje me treguesit. Strategjitë që kanë ndjekur vende të ndryshme janë të ndryshme. Akoma nuk është provuar një strategji që është e mirë për të gjithë. Nga bilancet e deritanishme, Shqipëria me shifrat që ka pasur, masat kanë qenë të arsyeshme. Çdo masë që propozohet, për të ruajtur shëndetin e njerëzve mbi gjithçka tjetër. Shëndeti është prioritet.”