Kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së sotme më prefektët dhe me Emergjencat Civile, i ka bërë kritika prefektit të Durrësit.

Sipas Ramës, Prefekti Roland Nasto nuk ka bërë punën e tij siç duhej mbrëmë dhe për këtë gjë i ka dhënë ultimatum që mos të përsëritej më kjo situatë.

“Prefekt, mbrëmë jam marrë unë me dritat e stadiumit, gjëja më e thjeshtë ishte t’u hapej stadiumi dhe të mos rrinin në rrugica, sot stadiumi duhet të jetë i hapur dhe i pajisur me të gjithë strukturën akomoduese, janë 700 shtretër në Kavaleshencën e mbrojtjes në dispozicion. Tërmetin nuk e parashikon dot askush. Nuk do të thotë aspak se ajo që ndodhi do të vijojë, por tërmeti është në psikologjinë e njerëzve akoma. Prandaj duhet t’u ofrojmë gjithcka, stadiumin e hapur të ndriçuar dhe kapacitetet, autobus në dispozicion nëse kanë probleme psikologjike”, u shpeh Rama.

Rama kërkoi nga të gjithë të pranishmit që të fokusohen në Durrës, ku ishte epiqendra e goditjeve të njëpasnjëshme të tërmetit dhe ku rezultojnë shumë pallate dhe banesa të dëmtuara.

Ndërkohë, operatori i DurrësLajm sjell pamje nga çadrat e vendosura pranë stadiumit, ku pritet të sistemohen banorët, shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar.

Mësohet se tek çadrat me 40 shtretër kanë kaluar natën disa banorë, ndërkohë që në mëngjes ata janë larguar.