Brukseli pritet ta shtyjë për në vjeshtë hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjermania do të përdorë veton me arsyetimin se parlamentarët e saj nuk kanë pasur kohën e mjaftueshme për t'u konsultuar me konkluzionet pozitive të Komisionit Europian për dy vendet e Ballkanit.

Duke folur para takimit në Luksemburg me homologët e tij europianë, kryediplomati gjerman Michael Roth tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur detyrat, por për arsye kohe Gjermania do e marrë vendimin brenda tetorit.

Ndërkaq Ministri austriak për Europën, Aleksandër Shalenberg, tha se refuzimi i negociatave për dy vendet do të ishte një sinjal i keq për kredibilitetin e BE-së.

Komentet e dy ministrave u mbështetën edhe nga kryediplomati i Italisë, homologu rumun dhe ai suedez, të cilët janë pjesë e grupit të shteteve që kërkojnë dhënien e dritës jeshile për Tiranën dhe Shkupin zyrtar.

Ndërkohë Franca, Holanda dhe Danimarka kanë shprehur rezerva me situatën e korrupsionit dhe krimit të organizuar në dy vendet aspirante për aderim.

Më e avantazhuar për hapjen e negociatave paraqitet Maqedonia e Veriut, falë marrëveshjes historike me Greqinë të firmosur një vit më parë, ndërsa po diskutohet varianti i shtyrjes së bisedimeve me Shqipërinë përtej vjeshtës.

Debatet mes zyrtarëve europianë pritet të martën të rezultojnë vetëm në një deklaratë për rëndësinë strategjike të Ballkanit dhe jo me një datë përfundimtare për çeljen e negociatave.