Gjatë një vizite në qendrën shëndetësore nr.1 në kryeqytet, kryeministri Edi Rama ka komentuar sot rastin e denoncuar nga emisioni “Stop”, ku sanitarja e spitalit “Shefqet Ndroqi”, Tire Alldërvishi duke u hequr si infermiere, i ka marrë 8 milionë lekë familjarëve të një pacienteje, e cila ka ndërruar jetë nga koronavirusi.

Rama tha se është shumë i keqardhur nga skandali i denoncuar dhe shtoi se ajo ngjarje cënon imazhin dhe krijon idenë se korrupsioni dhe sjellja e sanitares është pjesë e punës së mjekëve dhe infermierëve.

“Unë jam mirënjohës për të gjithë mjekët dhe infermierët, më shumë për ata që punojnë në kushte në të cilat punonit ju para pak kohësh. Patjetër në këtë situatë kaq të ngatërruar, jam shumë i keqardhur për atë historinë e asaj sanitares, që faktikisht cënon imazhin, reputacionin edhe punën e mjekëve dhe infermierëve. Dhe krijon perceptimin që kjo është një mënyrë të punuar, apo pjesë e sistemit të punës. Realisht e vetmja gjë që më ka pëlqyer apo më ka ngrohur në atë ngjarje ka qenë puna e gazetarëve investigativë. Kanë nxjerrë në pah një llum dhe njëkohësisht nuk kanë provuar, nuk ka rezultuar se ajo sanitare ka qenë e lidhur me mjekë apo të ishte një zinxhir me punonjës të tjerë”, tha Rama, i cili më tej e quajti sanitaren një fundërrinë dhe tha se ajo nuk e zhbën dot punën e gjithë bluzave të bardha.

“Patjetër që kur nuk ka pyll pa derra, nuk ka asnjë sistem që të mos ketë fundërrina të tilla. Por kjo nuk e zhbën kurrë punën e mjekëve dhe infermierëve.”