Partia Socialiste do të mbledhë sot pasdite Kongresin e jashtëzakonshëm. PS pritet të paraqesë vizionin për Shqipërinë 2030 dhe angazhimet kryesore të programit qeverisës.

Kongresi i PS do të nisë në orën 17:30 dhe do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, në zbatim të masave kundër koronavirusit.

Një ditë më parë sekretari i përgjithshëm i PS, Taulant Balla deklaroi se Kongresi do të nisë me surpriza të bukura, ku do të ketë mesazhe dhe përshëndetje nga socialistët e vjetër, që sipas tij, kanë kontribuar në PS, dhe në të njëjtën mënyrë edhe për rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

Më tej, Balla tha se Kongresi do të vijojë me analizën e thellë në të gjitha strukturat e Partisë Socialiste, duke shtuar se në dy zgjedhjet e fundit, ato të 2013 dhe 2017, nuk është bërë një analizë e tillë për gjërat që nuk janë bërë mirë brenda PS-së.

Kongresi përkon edhe me 30-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste.

Në vendimin për thirrjen e Kongresit të jashtëzakonshëm të partisë gjatë Asamblesë së PS u miratuar dhe rendi i ditës.

  • 1. Hapja e Kongresit (Himni Kombëtar);
  • 2. Rrugëtimi i Partisë Socialiste prej 12 Qershorit 1991;
  • 3. Vizioni për Shqipërinë 2030 dhe Programi Qeverisës në Mandatin e Ri.
  • 4. Miratimi i Vendimeve të Asamblesë Kombëtare të Partisë:
  • a. Vendim “Për ngritjen dhe funksionimin e Komisionit të Posaçëm të Analizës për Zgjedhjet e Përgjithshme të 25 Prill 2021”;
  • b. Vendim “Për zhvillimin e analizave për rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Prillit 2021”;
  • c. Vendim “Për zgjedhjet e reja në strukturat vendore të partisë”;
  • d. Vendim “Për zhvillimin e fushatës së anëtarësimeve të reja në parti”;
  • e. Vendim “Për përfundimin e procesit të ngritjes dhe funksionimit të Regjistrit Digjital të Partisë”;
  • f. Vendim “Për miratimin e Kalendarit Politiko-Organizativ të Partisë për periudhën Qershor-Dhjetor 2021”.