Mbrëmjen e 28 shkurtit, “DurrësLajm” hapi një sondazh për të mësuar perceptimin publik lidhur me performancën e deputetëve të qarkut Durrës në këto 4 vite legjislaturë parlamentare. Sondazhi qëndroi i hapur për 3 ditë, për t’u mbyllur mesnatën e së martës.

Në sondazh u përfshinë vetëm përfaqësuesit e legjislativit që kanë një mandat të plotë 4-vjeçar. Për rrjedhojë, pjesë e tij u bënë 8 deputetët e PS-së në vitin 2017, si dhe deputeti Lefter Koka, i cili fitoi një vend në Kuvend nën siglën e LSI-së, por më pas u përjashtua prej saj në vitin 2019, pas refuzimit të dorëzimit të mandatit.

Në sondazh nuk u përfshinë 4 ish-deputetët e PD-së, të cilët dorëzua mandatin në vitin 2019, si dhe deputetët që u futën po atë vit në Kuvend nga listat e kandidatëve të PD-së dhe LSI-së dhe morën emrin “opozita e re”.

Në sondazh morën pjesë 3385 qytetarë, që ndanë votat mes 9 kandidatëve në garë.

Sipas perceptimit të pjesëmarrësve në votim, performancën më të mirë në këto 4 vite e ka pasur deputeti Lefter Koka, i vetmi që nuk e fitoi mandatin nën siglën e partisë së Ramës, por që në këto zgjedhje pritet të jetë pjesë e listës së PS-së, parti nga ku ai nisi karrierën politike si kryebashkiak i qytetit bregdetar.

Koka mblodhi 28% të votave ose 948 vota.

Menjëherë pas tij u rendit deputetja Milva Ekonomi, njëkohësisht Ministre e Bujqësisë, që për hir të së vërtetës, ishte e vetmja që garoi “kokë më kokë” me Kokën, madje në disa momente edhe e tejkaloi rivalin e saj.

Ekonomi mblodhi 25% të votave ose 843 vota.

I treti u rendit deputeti Jurgis Çyrbja me 20% të votave dhe direkt pas tij, por me diferencë të theksuar ishte deputeti tjetër i Shijakut Ilir Ndraxhi me 10% të votave.

Dy deputetët e Durrësit, Rolant Xhelilaj dhe Klodiana Spahiu, zunë respektivisht vendin e 5-të dhe të 6-të me një diferencë shumë të ngushtë votash.

Në vend të 7-të renditet deputeti i Krujës, Rrahman Rraja, që megjithëse nuk e mori asnjëherë fjalën në Kuvend dhe u bë i njohur vetëm kur djali i tij u arrestua se kishte dhunuar të dashurën duket se gëzon ende mbështetjen e disa personave që besojnë tek ai.

Rraja ka mbledhur 4% të votave ose 130 vota.

Në dy vendet e fundit, me një numër të papërfillshëm votash, janë renditur deputetët Eglantina Gjermeni dhe Fidel Ylli. Për hir të së vërtetës, 4 vite më parë, ata u pozicionuan nga Rama respektivisht në vendin e parë dhe të tretë në listën e kandidatëve për deputetë.

M.B.