I pranishëm në gjimnazin "Petro Nini" në Tiranë me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor, ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca deklaroi se shumë shpejt do të çelen negociatat e Bashkimit Europian me Shqipërinë.

Gjatë fjalës së tij, Soreca u dha një mesazh të qartë të rinjve, që të kenë besim se Shqipëria do të jetë pjesë e BE dhe se ata kishin një përgjegjësi mbi shpatulla me qëllim që vendi të bëhej më i mirë.

“Ju keni një përgjegjësi të madhe mbi shpatulla. Sepse ju i përkisni Shqipërisë, ashtu sikurse ajo ju përket juve. Kini besim te Shqipëria, vazhdoni të besoni ashtu siç kam unë besim tek vendi juaj. Vazhdoni te keni besim se Shqipëria do të bëhet një vend më i mirë. Së shpejti, besoj që vërtet shumë shpejt, do të çelen negociatat në mënyrë që Shqipëria të bëhet vend anëtar i BE dhe të rikthehet në gjirin e asaj që unë e them gjithmonë, është familja juaj natyrale; familja evropiane. Ju jeni e ardhmja e BE. Ndaj duhet të jeni qytetarë më të mirë te mundshëm jo vetëm të Shqipërisë por edhe të BE”, -tha ambasadori.