Pas vendimit për hapjen e negociatave që u mor më 24 mars nga ministrat e jashtëm të BE-së, tashmë objektivi i radhës do të jetë konferenca e parë ndërqeveritare.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca përmes një videokonference, sqaroi se për t’u ulur në atë tryezë, Shqipëria duhet të plotësojë katër kërkesa.

Ai kërkoi që të vijojë puna me reformat.

“Duhet të flasim për kuadrin negociues, që është struktura e marrëdhënies mes BE-së dhe Shqipërisë, që do të jetë për vitet në vijim, që do të jenë të gjitha fushat e bashkëpunimit, por duke u përqendruar te përparësitë si lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Tani synimi është të përgatisim këtë kuadër dhe ta dorëzojmë me raportin vjetor të KE-së në qershor, më pas do të jenë shtetet anëtare që do të vendosin për miratimin dhe kjo do të ndodhë në Shqipëria do të përmbysë atë kërkesë dhe më pas në gjysmën e dytë të 2020, do të jetë Gjermania që do të ketë Presidencën e BE-së që do të thërrasë konferencën e parë ndërqeveritare. Kushtet apo kërkesat që duhet të përmbushë Shqipëria. Në mënyrë që të ulet në këtë tryezë me BE për konferencën duhet të përmbushë këto;

Kërkesat për konferencën e parë ndërqeveritare
1. Reforma zgjedhore e miratuar sipas rekomandimeve të OSBE
2. Vazhdimi i reformës në drejtësi, ngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë
3. Krijimi i organeve të specializuara anti-korrupsion, SPAK dhe BKH
4. Duhet të fuqizojë luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Më pas janë një sërë kushtesh të tjera, por që do të shtrihen në kohë, pra që janë në kuadrin negociues për vitet në vijim. “Puna duhet të vijojë për ato që janë përmendur në dokumentin e Këshillit; lufta kundër azilit, ndryshimi i ligjit për mediat, i rëndësishëm këtu do të jetë opinioni i Komisionit të Venecias. Puna duhet të vijojë edhe për ata elementë të tjerë, që janë përmendur në dokumentin e Bundestagut gjerman. Po ashtu për cështjen e të drejtave të njeriut, pakicave, censusin, të drejtat e qytetarëve. Grupi i parë i kushteve duhet të përmbushen përpara organizimit të konferencën ndërqeveritare, pjesa tjetër e kuadrit negociues në vitet në vijim” tha ai.

Negociatat, çfarë përfiton Shqipëria

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca ka sqaruar konkretisht se çfarë përfiton Shqipëria tani që u mor vendimi për hapjen e negociatave.

“Shqipëria do të ketë mundësi të bëhet pjesë e tregut të BE-së para se të bëhet anëtare. Shqipëria do të kenë mundësi që të bëhen pjesë e programeve të rëndësishme për arsimin, transportin, bujqësinë apo fatkeqësive natyrore, vendet negociuese do të kenë mundësi për qasjen në fondin e solidaritetit. Shqipëria e nisi rrugëtimin në 2014-n, tani iu shtua statusi i nivelit të dytë të udhëtarit dhe tani sa më shpejt të ecin reformat, aq më shpejt do të arrijë në nivelin më të lartë” tha ai.